Dosjet, Berisha: Ndërkombëtarët kanë të drejtë
Kryeministri Berisha ka deklaruar se vërejtjet e bëra nga ndërkombëtarët për ligjin e dosjeve janë të drejta, pasi ka të bëjë me kufizimin e të drejtave, por ka theksuar ai është një kufizim i përkohshëm. Këtë koment, kreu i qeverisë shqiptare e ka bërë në gazetën "Illyria", e cila botohet në SHBA. Sipas tij, ligji i dosjeve synon ndarjen e shqiptarëve njëherë e mirë nga krimet e komunizmit. Vendet e tjera, ka theksuar Kryeministri, e kanë bërë me procese gjyqësore, ndërkohë që në Shqipëri kjo nuk po bëhet me procese gjyqësore. Berisha është shprehur i bindur për t‘i shkuar nismës së tij deri në fund, kjo sepse, ka theksuar ai, duhet t‘u jepet një përgjigje të gjithë asaj pjese të shoqërisë shqiptare, e cila ka vuajtur për shumë vite me radhë thundrën e persekutimit, vrasjeve dhe burgjeve të regjimit komunist. Lidhur me pyetjen se përse u hapën dosjet tani kur dihet se pjesa më e mëdha e tyre tashmë është zhdukur, Kryeministri ka theksuar se kjo është e vërtetë, por duhet të hapen ato që kanë mbetur. Më tej, ai ka theksuar se megjithëse janë djegur pjesa më e mëdha e dosjeve, kanë mbetur të paprekura dosjet e proceseve gjyqësore, të cilat janë autentike dhe do të hapen të gjitha. Më pas, në intervistat e tij, Kryeministri Berisha ka folur për sukseset e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për sigurinë që ofron vendi ynë për investitorët e huaj. Gjatë ditës së tretë të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha ka takuar senatorë dhe kongresmenë të shumtë. Por, vizita e tij dje ka kulmuar me takimin e sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. Gjatë takimit është diskutuar për zgjedhjet në vend, ku Kryeministri ka premtuar zgjedhje të lira e të ndershme. Gjithashtu, pjesë e diskutimit mes Hilari Klinton dhe Berishës ka qenë edhe ligji i lustracionit, për të cilin Berisha e ka siguruar sekretaren e Shtetit se si nuk është miratuar për kundërshtarët politikë. Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO ka qenë pjesë e bisedës së tyre, ku Berisha ka premtuar se Shqipëria do ta shtojë numrin e trupave ushtarake në Afganistan.