Berisha, mesazh ngushëllimi kryeministrit turk
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh kryeministrit turk, Rexhep Erdogan, ku në emër të tij dhe të qeverisë shqiptare si edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, qeverisë dhe popullit mik turk, për tre marinarët turq që humbën jetën në aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtare 20 milje larg portit të Durrësit. Në mesazhin dërguar homologut turk, kryeministri thekson se një operacion i gjerë kërkimi është angazhuar për gjetjen e 5 personave të tjerë që rezultojnë të humbur. “Me keqardhje të thellë kam mësuar për aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtare 20 milje larg portit të Durrësit, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën tre marinarë turq dhe pesë të tjerë konsiderohen të humbur. Më lejoni t’ju përcjell juve dhe, përmes jush, familjeve të viktimave të kësaj fatkeqësie të rëndë, qeverisë dhe popullit mik turk, ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare si edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - shprehet në mesazhin e tij kryeministri Berisha.