Rama: Shpëtimi nga plehrat, duke larguar Berishën
Largimi i Berishës nga pushteti shihet nga kryesocialisti Edi Rama edhe si mundësia e vetme për të shpëtuar Shqipërinë nga plehrat dhe rrënimi i natyrës nga forca njerëzore. Editorialin e tij javor, të publikuar dje në blogun e tij në internet, kryetari i Partisë Socialiste ia ka kushtuar pikërisht çështjeve të mjedisit dhe më konkretisht rrezikut që mund të sjellë për të importimi i plehrave nga jashtë, siç edhe parashikon ligji i rrëzuar nga Presidenti i Republikës një javë më parë. Që në krye të tij, Rama është shprehur i zhgënjyer në lidhje me etiketimin që sipas tij i bëri kryeministri opozitës, Presidentit të Republikës, si aleanca e plehut. “I quajti aleancë plehu të gjithë kundërshtarët e atij pleh-projekti, edhe Presidentin e Republikës, edhe shoqërinë civile, edhe median, opozitën po e po. Cili kryeministër në cilin vend normal, demokratik, në Europë a kudo qoftë, do guxonte t’i quante kundërshtarët Aleancë e Plehut? Askush, askund. Jam ambientalist” thotë “po s’jam antiglobalist”, me demek s’është si të gjithë ata që i thonë mos, mos ia bëj peshqesh Shqipërisë plehrat e botës, sepse Shqipëria sot po mbytet nga plehrat e veta. S’është si Presidenti i Republikës, që i thotë refuzoj ta firmos atë ligj plehrash ku s’ka vend për nenin që lejon importimin e plehrave nga jashtë”, - shprehet Rama në komentin e tij. Sipas tij, janë pikërisht interesat financiare të bizneseve të ndryshme ato që detyrojnë kryeministrin dhe mazhorancën e djathtë që të këmbëngulin në një ligj të tillë.