Toçi: Sulçe humbi dinjitetin për një vend pune
Në një reagim për mediat lidhur me largimin e kreut të PS-së së rrethit Vlorë, deputeti socialist i këtij qarku, Fatmir Toçi e ka quajtur atë si një shitje të shëmtuar të dinjitetit. “Ka qenë nga një miqtë e mi më të afërt në Vlorë, me të cilin për vite me radhë na ka lidhur ideali i përbashkët rreth programit të Partisë Socialiste, lufta e përbashkët kundër korrupsionit, kundër drejtimit kriminal të vendit nga aleanca hibride PD + LSI. E konsideroj veprimin e kryer prej tij jo vetëm të nxituar, por edhe të gabuar, pavarësisht nga pretendimet dhe argumentet që ai ka sjellë për vendimin e tij. Siç ia kam kumtuar edhe atij vetë, asnjë lloj justifikimi nuk mund të përligjë këtë veprim, të tradhtojë qindra mijëra socialistë vlonjatë me të cilët ka punuar për dy dekada, për qejfmbetje apo interesa personale, të cilat unë i di dhe i kemi debatuar ditët e fundit”, - tha Toçi. Më tej ai e ka lidhur këtë largim të Sulçes pikërisht me fenomenin e blerjeve nga kundërshtarët politikë, nëpërmjet joshjes me poste apo me punë. “Kujtim Sulçe, akoma i turbulluar nga oferta zhburrëruese e atyre që e shohin politikën si merkato dhe si fushë interesash e përfitimesh të paskrupullta, nuk e ka kuptuar akoma se ç’ka humbur. Ka humbur dinjitetin dhe personalitetin e njeriut, ka humbur shokët e vërtetë dhe miqësitë e sinqerta, ka humbur dashurinë dhe simpatinë e vlonjatëve të zhgënjyer prej tij. Dhe përse? Për një vend pune dhe përfitime të tjera. Si mik i tij, ia kam thënë dhe ia them përsëri: nuk shitet dinjiteti dhe ideali me para”, - tha Toçi.