Berisha, mesazh ngushëllimi për viktimat në Poloni
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk për humbjen e jetëve të 21 qytetarëve polakë në ngjarjen tragjike, të ndodhur në një hotel social në Kamien. “Me keqardhje të thellë mësuam për rënien e zjarrit në një hotel social në qytetin Kamien të Polonisë, si pasojë e të cilit humbën jetën 21 qytetarë të vendit tuaj dhe u plagosën shumë të tjerë. Në këtë moment të vështirë, të gjithë shqiptarët ndajnë me ju, me familjet e viktimave dhe me popullin mik të Polonisë, dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar”, - shkruan Berisha në mesazhin e tij.
Vdekja e Maurice Druon, Berisha, mesazh Sarkozy-së
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy, për ndarjen nga jeta të akademikut të njohur, Maurice Druon. “Vdekja e personalitetit të shquar të botës akademike dhe intelektuale të Francës, luftëtarit të madh dhe të paepur të lirisë, francezit të madh, mikut tim dhe të kombit shqiptar, Maurice Druon, ishte një lajm shumë i hidhur për mua dhe për mbarë kombin tim, të cilin ai e deshi dhe e respektoi aq shumë. Me vdekjen e Maurice Druon kombi dhe vendi juaj kanë humbur francezin e madh, intelektualin dhe qëndrestarin e pamposhtur që frymëzoi aq shumë bashkëkombësit e tij, në luftën dhe qëndresën e tyre për liri dhe dinjitet. Maurice Druon e deshi dhe e respektoi shumë kombin tim, ndaj edhe për mua që pata privilegjin të kem miqësinë e tij, por edhe për të gjithë shqiptarët, është një pikëllim i thellë dhe një humbje e madhe”, - thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha.