Vendimi, ku do të punësohen 2430 punonjës në administratë
Gjatë vitit 2009, në administratën publike do të mund të punësohen 2430 persona me kontratë të përkohshme. Këshilli i Ministrave ka vendosur me anë të një vendimi që mban datën 6 mars të këtij viti, numrin e punonjësve për çdo institucion që do të mund të punësohen në bazë të kërkesave të vetë institucionit. Vendimi në fjalë përcakton këtë numër punonjësish, si maksimal, që kanë për t’u punësuar në administratën publike. Punonjësit me kontratë të përkohshme punësohen për punë të caktuara në administratë. Ndaj dhe në numrin prej 2430 punonjësish, më shumë do të punësohen në Ministrinë e Transporteve, në agjencinë e ALUIZNI-t.
Kështu, në Ministrinë e Punëve Publike do të ketë 803 punonjës me kontratë, shumica e të cilëve do të shërbejnë në Agjencinë e Legalizimeve. Këta punonjës janë kërkuar nga kjo agjenci, pasi në këtë moment, po punohet në terren dhe me dokumentacionin e ndërtimeve informale, duke bërë që ALUIZNI të kërkojë punonjës shtesë. I vetmi institucion me punësim minimal është Këshilli i Ministrave, ku do të punësohet vetëm 1 person.
Kështu, në Ministrinë e Ekonomisë do të punësohen 44 persona, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë 11 persona. Një numër të konsiderueshëm punonjësish do të ketë edhe Ministria e Bujqësisë, prej gati 213 të punësuar me kontratë të përkohshme pune. Ministria e Financave do të ketë 49 të punësuar me kontratë të përkohshme, Ministria e Turizmit 22 punonjës, ndërsa ajo e Shëndetësisë 27 punonjës si dhe në Ministrinë e Jashtme 16 të punësuar.
Një numër të konsiderueshëm të punësuarish do të ketë Ministria e Brendshme. Sipas vendimit, 562 persona do të punësohen në këtë ministri, kryesisht në qendrat e aplikimit për kartat e identitetit, pra në Drejtorinë e Gjendjes Civile. Të punësuar të tjerë do të ketë edhe në institucionet e tjera. Në Shërbimin Informativ Shtetëror do të ketë 40 të punësuar, ndërsa në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, 30 të punësuar me kontratë të përkohshme. INSTAT-i do të ketë një numër të konsiderueshëm të punësuarish, rreth 378 të tillë. Edhe në Ministrinë e Mjedisit do të punësohen 140, ndërsa në Ministrinë e Punës, 83 punonjës.