Narkotikët e Lazaratit, KSHH: Të ndërhyjë shteti
TIRANE- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka shprehur sot shqetësimin lidhur me atë që po ndodh gjatë këtyre ditëve në fshatin Lazarat. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, KSHH konstaton me shqetësim se lajmet që vijnë këtë vit nga Lazarati janë veçanërisht shqetësuese, sepse sipas tyre, për herë të parë rezulton qartë se kjo veprimtari e kundraligjshme po zhvillohet në mënyrë tepër të organizuar dhe se ka përmasa të mëdha përfshirëse në lidhje me personat, familjet dhe subjektet privatë e publikë që përfshin në të.
Sipas KSHH, banorët e komunës Lazarat ndihen të qetë për të kultivuar këto bimë të ndaluara me ligj, jo vetëm në pronën e tyre private, por me sa duket, kanë zgjeruar së tepërmi prodhimin, duke uzurpuar edhe trojet publike përreth dhe përdorin për këtë qëllim edhe fuqi punëtore të importuar nga jashtë komunës.
Por shqetësimi më i madh për KSHH është se kjo veprimtari e kundraligjshme kryhet përpara syve të pushtetit vendor, autoriteteve të policisë dhe të strukturave të tjera, që kanë për detyrë të zbulojnë e parandalojnë veprimtari të tilla kriminale.
Për të evidentuar rëndësinë e problemit, KSHH i është referuar edhe deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili i cili ngriti alarmin se në vend po rritet ndjeshëm numri i përdoruesve të drogës, se janë rreth 60.000 persona që kanë përdorur në jetën e tyre droga të ndryshme, se rreth 5000 prej tyre janë përdorues problematikë, se shumica e atyre që konsumojnë droga u përkasin moshave të reja dhe janë gjimnazistë dhe studentë.
KSHH dhe mbarë opinioni shoqëror presin të shohin sa më shpejt reagimin e përshtatshëm të organeve të ndjekjes penale dhe të drejtësisë në këtë drejtim, thuhet më tej në deklaratën e KSHH-së.