E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, sondazh në bazë për listën e kandidatëve

Partia Socialiste ka lënë si çështje të fundit të preokupacionit zgjedhor çështjen e zgjedhjes së kandidatëve. Por megjithëse e fundit, kjo çështje duket se do t’i hajë shumë kohë partisë, pasi para se të vendoset lista, pritet të merret mendimi i elektoratit socialist për emrat e preferuar sipas qarqeve. E një nga mënyrat për ta bërë këtë do të jetë dhe sondazhi brenda partisë. Një nga zyrtarët socialistë që po merret me përgatitjen e fushatës zgjedhore, anëtari i kryesisë, Kastriot Islami, tha dje se për përpilimin e listave të kandidatëve, PS është ende në fazën e konsultimeve. Por ai pranon se do të përdoren mënyrat e sondazhit në anëtarësi për të nxjerrë preferencat. “Mendohet të përdoren disa mënyra, për të marrë mendimet e votuesve, të cilat ne na lejojnë për të ndërtuar një listë të kandidatëve për çdo qark me një renditje të përcaktuar dhe efikase”, - shprehet Islami. Ndërkohë ai sqaron mënyrën se si do të organizohet fushata zgjedhore e kësaj partie, e cila ka vendosur ta ndajë atë në tri faza të ndryshme, duke i kushtuar rëndësi dhe trajnimit të strukturave partiake për këtë çështje. Islami thotë se “është periudha parapërgatitore, e cila fillon në tetor dhe përfundon në dhjetor. Pra, kuptohet është një parapërgatitje për organizimin elektoral të të gjithë partisë, edhe në përputhje me Kodin e ri Elektoral dhe natyrisht kjo do të zhvillohet edhe më tej, meqenëse në kod do të ketë edhe detaje të tjera”. Ndërkaq nga janari pritet të fillojë periudha e dytë e përgatitjeve, e cila do të vazhdojë deri në mars. Sipas deputetit Islami, gjatë kësaj kohe “do të bëhet edhe trajnimi dhe kualifikimi i të gjitha strukturave të partisë të reja në funksion të fushatës elektorale”. Ai bën të ditur se në fund do të jetë dhe faza e tretë, e cila është faza e përzgjedhjes së kandidaturave dhe fillimi i fushatës elektorale. Programi qeverisës është një tjetër pikë e rëndësishme për PS-në, e cila kishte premtuar ta përfundonte në shtator, por sipas Islamit, do të përfundojë brenda janarit. “Nga programe sektorial apo rajonale do të kalohet në një program kombëtar. Jemi munduar të ndërtojmë një program qeverisjeje që nuk është thjesht i një partie politike, që nuk është thjesht vetëm për ata që e votojnë, por është për të gjithë shqiptarët”, - vlerëson anëtari i kryesisë së PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›