E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokona dhe Sara: Pse ikëm nga Rama



Sipas tyre, PS është kthyer si Metalurgjiku në ‘92

Selia rozë hesht për largimin e dy minibashkiakëve

Një goditje jo e vogël ka qenë për PS-në largimi i dy kryetarëve të minibashkive në kryeqytet, por kreu i kësaj partie që është njëkohësisht dhe kryetar i bashkisë, Edi Rama, ka zgjedhur heshtjen. Dje në një konferencë për shtyp Krerët e minibashkisë numër 7 dhe 3 të kryeqytetit, Pandi Sara dhe Ilir Kokona thanë se nuk punohet me Edi Ramën. Por kjo ishte vetëm njëra nga arsyet e largimit të tyre, pasi ndër të tjera, ata janë ndjerë të mënjanuar nga partia dhe kanë vërejtur mungesë demokracie në të që pas ardhjes së Ramës. “Liria e cunguar me të cilën punohet me Edi Ramën, është shkaku i largimit nga kjo parti”, - u shpreh Kokona. Krah për krah me zyrtarin e PS ’91, Gjergj Kojën, partinë e re ku kanë zgjedhur të shkojnë dy zyrtarët vendorë socialistë, do të vazhdojnë të ndihen socialistë dhe më tutje, por jo në partinë që ka kryetar Ramën, por në atë që ka kryetar Petro Koçin. Kokona shprehet më tej se “Partia Socialiste ishte aq e madhe në vitin 91 dhe u bë gjigante deri në 2005 dhe sot të katandiset në një ndërmarrje si ish-Metalurgjiku në ‘92, ku të gjithë vrapojnë me letra me vlerë ta bëjnë pronë të tyre, ku nuk dihet se kush hyn e kush del, kjo ka qenë arsyeja pse u largova nga kjo parti”. Ndërsa kolegu i tij, Sara, tha se “kanë humbur vlerat njerëzore dhe ato janë zëvendësuar me vlera materiale. Kjo është pasojë e ardhjes së socialistëve të rinj që nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore me PS-në e ’91-shit”. Ata kanë bërë vërejtje dhe për mënyrën e organizimit të partisë, pasi e kanë ndjerë këtë gjë direkt në punën e tyre. Sipas Pandi Sarës, “dikur punohej ndryshe në PS, ka pasur disa struktura, ka pasur një lloj demokracie, ku që nga organizatat socialiste kishte propozime për çështje të ndryshme që diskutoheshin deri lart, duke sjellë kështu dhe motivim për socialistët, ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar”. Sipas tij, tashmë s’ka më idealizëm politik. “Puna sot bëhet mbi bazën e shkëmbimeve, çfarë do më japësh ti po të ndihmova unë”. Kjo është filozofia e sotme”, konstaton Sara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›