PBKD: Reformat në drejtësi duhet të jenë të thella
Reforma në gjyqësor duhet të jetë e thellë dhe gjithëpërfshirëse, deklaroi dje Partia e Ballit Kombëtar Demokrat. “Reforma në gjyqësor duhet të jetë e thellë dhe gjithëpërfshirëse. Ndarja e varësisë së administratës së gjyqësorit nga gjykatat është pozitive, por ne mendojmë se për përmirësimin e sistemit gjyqësor ka rëndësi parësore pastërtia e figurës profesionale të gjyqtarëve përballë të gjykuarve”, - u shpreh kryetari i saj në një konferencë për shtyp. “Duhet bërë transparente veprimtaria e tyre (gjyqtarëve) gjatë regjimit komunist – ata që kanë punuar gjatë kësaj periudhe, dhe duhet bërë transparente gjendja e tyre pasurore nëpërmjet verifikimeve të burimeve financiare”, - tha Artur Roshi. Zoti Roshi trajtoi në deklaratën e tij edhe çështjen e debatit që nisi këtë javë pas një interviste të Nexhmie Hoxhës në një televizion. “Dalja në skenë e disa simboleve të diktaturës ditët e fundit, të cilët vazhdojnë të mbrojnë regjimin kriminal komunist me të njëjtën kurajë dhe argumente kur ata ishin në pushtet, është pasojë e paaftësisë së politikës së 18 viteve të fundit për të bërë reforma të thella për ndërgjegjësimin e njerëzve për vlerat negative që përfaqësonte ai sistem”, – tha zoti Roshi.
Sipas zotit Roshi, “janë emergjente ligjet për dekomunistizimin e shoqërisë dhe ngritja e institucioneve që do të zbatojnë ato, si për shembull, Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit”.