E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mundohet t’i bindë banorët: Jemi buzë katastrofës

Ndërsa portat e hidrocentraleve të Drinit vazhdojnë të derdhin ujë dhe niveli në zonat e përmbytura rritet ora orës, autoritetet kanë nisur dje evakuimin edhe me forcë të personave që gjenden në rrezik.
Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili drejton Shtabin e Emergjencës në këtë qark, tha dje pasdite se është bërë evakuimi i rreth 80 familjeve të rrezikuara në tri fshatra të Komunës Dajç. Cungu tha se në orët e mbrëmjes u evakuuan 80 familje nga fshatrat Samrish, Mushan e Barragjet. Sipas tij, shumica e familjeve kanë ikur me dëshirë nga zona e rrezikuar, ndërsa për disa raste familjarët janë detyruar të lënë shtëpitë, edhe pse nuk kanë dashur. Shumica e të evakuarve janë sistemuar në shtëpitë e të afërmve të tyre në fshatrat e zonës, ndërsa pak njerëz janë dërguar në Shkodër, për t’u sistemuar në ambientet e vëna në dispozicion për këtë qëllim.Situata në zonën e Nënshkodrës vazhdon të mbetet kritike dhe evakuimet janë parashikuar të vazhdojnë, me apo pa dëshirën e banorëve. Më problematike situata paraqitet në Komunën Dajç, ku argjinaturat mbrojtëse janë në rrezik përmbytje. Kjo zonë është vizituar dje nga Kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se zona e Nënshkodrës është në prag të një katastrofe të vërtetë dhe në mënyrë të menjëhershme duhet bërë evakuimi i banorëve të zonës.
Kryeministri Berisha inspektoi zonën e përmbytur dhe argjinaturën e lumit Bunë dhe më pas zhvilloi një takim me shtabin e emergjencës të Prefekturës Shkodër dhe drejtues të komunës. Në takim morën pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, dhe deputetë të zonës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Realisht jemi në prag të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik. Përmbytjet kanë gjunjëzuar jo një herë por në mënyrë të përsëritur fuqitë më të mëdha të globit, të cilat kanë potenciale motorike e të gjithanshme mijëra herë më të mëdha se ne”. Sipas tij, duhet të fillojë në mënyrë të organizuar evakuimi me shpejtësi nga zona e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe të sëmurëve. “Unë i këshilloj të gjithë, edhe kryefamiljarët, por mund të ketë raste që edhe mund të rrinë, duke siguruar ndërlidhjen, mjetet, furnizimin”, tha Berisha.
Më pas Kryeministri u takua me banorë të Komunës Dajç, të cilëve u ka kërkuar të pranojnë evakuimin, pasi shteti do u dëmshpërblejë çdo dëmtim të bërë nga uji. Berisha tha: “Sado i madh të jetë përkushtimi i institucioneve tona, përpara një katastrofe mund të jesh liliput, në krahasim me përmasat e saj”. Më tej Kryeministri shtoi se “duhet të garantojmë furnizim të atyre që do të mbeten. Nuk mund të themi se këtu nuk do të mbetet këmbë njeriu. Mirë do të ishte, por kjo nuk ndodh. Atëherë atyre të cilët do të mbeten, kryefamiljarëve, do t’u sigurohet uji, ushqimi dhe komunikimi. T’u çohen të gjitha ushqimet, sepse kanë nevojë. E njëjta gjë është edhe për Ana Malin. Deri këtu është një menaxhim shumë i mirë. Tani është prova përfundimtare”, tha ai.
Aktualisht në zonën e Nënshkodrës ndodhen 4000 ha tokë nën ujë. Në të njëjtën kohë vazhdon dhe izolimi i shtëpive nga uji në zonën e Dajçit, Obotit, lagjet “Ajasëm” dhe “Bahçallëk” të Shkodrës. Rritje të ndjeshme të ujit ka pasur në lagjen “Bahçallëk” dhe Qafë, rrëzë Kalasë së Rozafës, ku pjesa më e madhe e këtyre banorëve komunikojnë me varka me pjesën tjetër të vendit. Madje në xhaminë e Plumbit, në lagjen Qafë, uji ka shkuar në lartësinë 130 cm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›