E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri pranon vështirësitë. Vijon shkarkimi në HEC-et Vau i Dejës dhe Koman

Liqeni i Fierzës fillon gradualisht të ulet, por mbetet sërish në kuotat e larta. Pavarësisht menaxhimit të lartë, gjendja në hidrocentrale vijon të mbetet kritike. Nga raportimet që bëri dje ministri i Energjetikës, në hidrocentralet Koman dhe Vau i Dejës nuk po ndalet ende shkarkimi i ujit, deri në 600 metër kub, kurse në Fierzë ka një stakim të derdhjes. Ministri tha se pritet të ketë reshje shiu si dhe borë në ditët në vijim, gjë që mund ta bëjnë situatën edhe më të vështirë. Për këtë arsye, Dritan Prifti ka mbledhur ekspertët më të mirë të fushës, përfshi Farudin Hoxhën dhe Stavri Peçin, duke u konsultuar rreth gjetjes së zgjidhjeve më të mira. “Për momentin niveli i ujit në Fierzë është 292,27 metra dhe në Koman 174 metra dhe gjatë natës ka pësuar rritje për shkak të shkarkimeve në Fierzë. Situata është nën kontroll e disiplinuar për momentin, por varet shumë edhe nga kushtet e motit të cilat parashikohen që të vijojnë më reshje në ditët në vijim” deklaroi dje ministri. Emergjencën po e monitoron nga afër grupe të posaçme nga KESH, OST, OSSH dhe të ministrisë, të cilët janë në vëzhgim të vazhdueshëm.
Ministri i Energjetikes, Dritan Prifti tha se në kaskadë, liqeni i Fierzës u lejua mbi nivelin e sigurisë. “Situata në Fierzë pati rritje me 3 metër më shumë nga ajo që thotë rregullorja. Kane qenë vetëm 10 ditë që kanë sjelle prurje të menjëhershme, duke renduar situatën. Në Fierze, 24 orët e fundit niveli ka rënë 75 cm. Kemi arritur në një pozicion më të kënaqshëm”, shprehet ministri. Në 24 orët e fundit KESH ka prodhuar rreth 28.8 milionë kilovat/orë energji elektrike dhe janë konsumuar gati 23.2 milionë kilovat/orë. Sa i takon eksportit, Ministria e Energjetikës sqaron se niveli i shitjes arrin në 12 milionë kilovat/orë. Prifti hedh poshtë pretendimet se KESH po importon, duke sqaruar se këtë veprim po e bën vetëm OSSH-ja, në masën 7.4 milionë kilovat.
Duke folur për situatën ministri nuk la pa përmendur kritikat e bëra nga opozita në drejtim të punës së bërë. “Shqetësimi jonë kryesor është Fierza dhe po punojmë për të shmangur katastrofat. Në këtë pikë pres nga opozita më shumë bashkëpunim sesa akuza për sabotim dhe përmbytje me dashje. PS-ja bën mirë të sjellë ekspertët dhe të dalë në terren për të bashkëpunuar”, tha ministri Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›