Kryeministri: Duhet të investojmë në argjinatura, si Holanda. është rritur niveli i detit

Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar dje në mesditë argjinaturën e lumit Mat në Milot, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli dhe prefekti i Lezhës, Pal Dajçi. Ndërkohë që 14 km poshtë kësaj argjinature, dhjetë shtëpi banimi në Fushëkuqe dhe qindra hektarë tokë gjenden nën ujë, Kryeministri ka preferuar inspektimin e argjinaturës së lumit Mat, e cila ka kryer funksionin e saj, duke mos lënë që zona në afërsi të saj të përmbytet. Një nga banorët i cili ishte i pranishëm në këtë inspektim të shefit të qeverisë, në mënyrë të papritur është shprehur: “Berisha erdhi në mal, për të parë fushën e përmbytur, pasi këtu ne nuk kemi pasur përmbytje”.
Berisha pritej të inspektonte dje hidrocentralin e Shkopetit, por çuditërisht sipas burimeve policore ka ndryshuar mendjen në rrugë, duke u kthyer në Milot dhe ka parë një nga zonat që nuk ka pasur përmbytje gjatë këtij viti. Berisha ka parë nga afër punën që është kryer mbi argjinaturën e Matit dhe ndikimet pozitive që ka pasur kjo argjinaturë për të mos lejuar përmbytjen e një pjese të fshatit Planë të Lezhës. Në fjalën e tij në Milot, Berisha është shprehur se “jemi në një situatë me mot të zgjatur dhe të thellë të paqëndrueshëm dhe që është karakterizuar dhe do të vazhdojë të jetë i tillë me reshje. Ditë si kjo e sotmja parashikohen për dhjetë ditët në vazhdim, në mos edhe më gjatë, prandaj jemi në buzë të një katastrofe”. Sipas tij, detyra është që me urgjencë të evakuohen njerëzit, për të mos pasur më kërcënim jetë njerëzore. Ai është shprehur gjithashtu se portat e hidrocentralit të Shkopetit, por edhe të Vaut të Dejës, do të vazhdojnë të hapen, por duke qenë vazhdimisht të monitoruara. Ndërsa garantoi se energjia elektrike nuk do të mungojë për banorët gjatë gjithë ditëve në vazhdim, pasi ky është edhe një nga premtimet e qeverisë”.
Pas qëndrimit për disa minuta në Milot, Kryeministri Berisha ka inspektuar situatën edhe në Ishull Shëngjin, duke iu kërkuar aty banorëve që të evakuohen nga zonat e përmbytura dhe në rrezik eventual. Sipas Berishës “hidrovori funksionon tërësisht, por shikoni çfarë fenomeni kemi, këto janë ujërat që vijnë nga sipër dhe hidrovori i thith ato, kurse deti është rreth dy metra më larg ujërave të ëmbla dhe kjo për shkak të rritjes së nivelit të detit. Kjo është një gjë e pazakontë”. Shefi i qeverisë, në takim me drejtuesit vendorë të Shëngjinit dhe të Milotit, është shprehur se “qeveria, shumë shpejt do të nisë investimin për ngritjen e argjinaturave, një investim kombëtar ky që Holanda e ka bërë shekuj më parë”.