E Diel, 1 Nëntor 2026

Vështirësi në akset që lidhin Kukësin me rrethet e tjera të Veriut. Ta pakalueshme rrugët rurale

Reshjet e dëborës kanë përfshirë paraditen e djeshme rajonin e qarkut të Kukësit duke sjellë probleme kryesisht në qarkullimin e mjeteve në akset rrugore. Në segmentin e Qafës së Malit si pasojë e rënies së disa ortekëve janë bllokuar për disa orë shtatë furgonë me pasagjerë. Orteku i fundit ka rënë në mesditë dhe ka  zënë rrugën Qafë Mali-Bajram Curri ku kanë mbetur për dy-tre orë udhëtarët, derisa një fadromë e dërguar nga Rrethi i Pukës ka hapur trasenë. Pasdite reshjet kanë pushuar, gjë që ka bërë të rinisë qarkullimi në drejtim të Qafës së Malit.
Problem për qarkullimin e automjeteve është bërë dhe bora e papastruar, e cila ka krijuar shtresa të forta në rrugë që i ka detyruar një numër mjetesh të ndërpresin udhëtimin. Ndonëse segmenti është i kontraktuar për tu pastruar nga dëbora, shoferët tregojnë se aty nuk ka punuar asnjë borë pastruese.
Ndërkaq akset rrugore Kukës-Krumë-Qafë Prushi dhe Kukës-Shishtavec janë vështirësuar së tepërmi edhe pse në to është punuar me intensitet për pastrimin e dëborës. Në segmentin Kukës-Qafë Mali po punojnë katër mjetet borëpastruese si dhe një numër punëtorësh, të cilët kanë mbajtur rrugën në funksion vetëm me një kalim dhe me zinxhirë.
Në Qafë Shllak, Kalimash dhe Qafë Mali dëbora arrin në më shumë se 50 cm dhe paraqet rrezikshmëri nga akulli pasi edhe temperaturat mbeten mjaft të ulëta. Në këtë aks kanë mundur të kalojnë vetëm mjetet e vogla të pajisur me zinxhirë, ndërsa një numër furgonësh dhe autobusë pasagjerësh nuk janë nisur nga Kukësi, kështu që shumë pasagjerë të Kukësit dhe Hasit që do të udhëtonin për Tiranë, mes tyre edhe dhjetëra studentë të universiteteve nuk kanë mundur të nisen. Policia e qarkullimit rrugor dhe ajo e rendit po monitorojnë situatën për të shmangur aksidente të mundshme në rrugë. Ata kanë ndaluar që në Kukës udhëtimin drejt Qafës së Malit të kamionëve të tonazhit të rëndë pasi këto mjete mund të bëhen shkak për bllokimin e rrugës si dhe për aksidente. Të vështirë mbeten edhe akset e Shishtavecit ku dëbora atje arrin në mbi 50 cm si dhe aksi i Qafës së Prushit në Has ku dëbora arrin në rreth 40 cm.
Rrugën e Shishtavecit autoritetet lokale e përshkruajnë si shumë të vështirë për t’u përshkuar ndonëse qysh prej mëngjesit të djeshëm  ka punuar një borëpastruese, kryesisht në segmentet problematike të Shtrezës, Novosejit etj. Situata paraqitet e njëjtë edhe në rrethin e Tropojës ku reshjet e dëborës kanë qenë të një intensiteti më të ulët, por që temperaturat nën zero kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve.  Një aks plotësisht i bllokuar mbetet ai Kukës-Peshkopi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›