Berisha ndërron mendje: Presidenti, të zgjidhet nga populli
Bindet Kryeministri Berisha. Mbështetësit e kreut të shtetit, Bamir Topi, kanë arritur të bindin shefin e mazhorancës për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Ndonëse me kushte, Kryeministri ka pranuar idenë që sovrani të zgjedhë emrin e kreut të ardhshëm të shtetit. Aktualisht, Partia Demokratike vendoset përballë sfidës së aleancave për të siguruar 94 numrat që i nevojiten në Kuvend për vendimin që Presidenti të zgjidhet nga populli. Pas mbledhjes së zhurmshme të Kryesisë së PD-së dhe më pas të grupit parlamentar demokrat, Kryeministri Sali Berisha ka pranuar hapur më në fund, që nëse 28 firmëtarët e PD-së sigurojnë 94 votat në Kuvend, atëherë Presidenti do të zgjidhet nga populli. Lufta e numrave ka sjellë përçarjen e partisë më të madhe, e cila është marrë nën kontroll dje nga lideri i saj, Sali Berisha. Deputetët e Partisë Demokratike u pozicionuan hapur në dy kampe të ndryshme, ku njëra pjesë kërkonte domosdoshmërish ndryshimet në disa nene të Kushtetutës, duke i cilësuar ato nene të zakonshme që kanë nevojë për ndryshime dhe jo paragrafë Bible apo Kurani, ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar hapur që Presidenti i ardhshëm i vendit të zgjidhet direkt nga vota e popullit. Veprimi i fundit pengon edhe zvogëlimin e kompetencave të kreut të shtetit. Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar më të madh ka penguar përçarjen dhe ka qartësuar disi gjërat brenda kampit blu. Mbështetësit e Bamir Topit do të fillojnë në ditët në vazhdim lobingun me aleatët demokratë për të siguruar numrat në Kuvend. Zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli e kanë kërkuar në mbledhjen e grupit fuqishëm tre deputetë të PD-së, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj dhe Sali Shehu. Kryeministri Berisha ka mbështetur idenë e tyre, vetëm me kusht që firmëtarët që kanë kërkuar që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli të sigurojnë votat e aleatëve, por edhe vota nga kampi opozitar për ndryshimet në Kushtetutë. Kryetari i PD-së, në mbledhjen e tij urgjente në kryesinë e partisë dhe më pas në grupin e PD-së, ka diskutuar në grup ndryshimet kushtetuese. Tone më të buta në krahasim me mbledhjen e kryesisë kanë karakterizuar mbledhjen e grupit të PD-së. Epiqendra e debatit ishte fokusuar kryesisht te zgjedhja e Presidentit të Republikës, ndërkohë që pas insistimit të deputetëve të kampit blu, Berisha ka rënë dakord për zgjedhjen e Presidentit nga populli, me kushtin e vetëm që PD-ja të bindë Partinë Socialiste. Në të kundërt, partia në pushtet do ta ketë të vështirë të kalojë me sukses betejën e numrave në Kuvend për të realizuar ndërhyrjet në dokumentin themeltar të shtetit. Neni 87 i Kushtetutës është neni që ka nxehur ditët e fundit kampin blu dhe neni që rrezikon seriozisht katarsisin brenda selisë blu. Deri në këto momente, mbështetësit e Presidentit kanë arritur të bindin disa nga aleatët e tyre, si Partinë Republikane, Partinë Demokristiane dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Deri tani, PD-ja ka të sigurta 22 votat e aleatëve të saj, ndërsa në ditët në vijim priten të intensifikohen negociatat mes kampit blu dhe atij rozë. Mbështetësit e Topit kanë premtuar se do të zhvillojnë lobing me opozitën dhe negociata për të vendosur zgjedhjen e Presidentit nga populli. Berisha mbështet propozimin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli, por shprehet skeptik për mbledhjen e votave të domosdoshme në Kuvend për miratimin e këtij ndryshimi kushtetues. Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, që diskutoi pikërisht për nenin 87 të Kushtetutës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri Berisha tha se "në rast se bëhen 94 vota në Kuvend, në mënyrë absolute unë jam i pari që do të votoj nga populli". Kryeministri i ka cilësuar normale edhe kundërshtitë e shprehura nga Presidenti Bamir Topi për ndryshimet kushtetuese.
Xhufi: Berisha e Rama po shkatërrojnë gjithçka
Kryetari i grupit parlamentar, të LSI-së, Pëllumb Xhufi ka deklaruar edhe një herë dje qëndrimin e partisë së tij kundër ndryshimeve kushtetuese. Xhufi ka bërë përgjegjës për amullinë e krijuar në politikën shqiptare Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Xhufi tha se dy janë përgjegjësit për shkatërrimin e këtij vendi: I pari Kryeministri Berisha, i cili po kërkon pas Gërdecit të ngrejë një shtet sipas maksimës së Luigjit 14, "shteti jam unë", në një kohë kur të gjithë e dimë se ai nuk është në gjendje t‘i kthejë një përgjigje një kryetari bashkie të varfër. I dyti është homologu i tij në kuptimin partiak, për të cilin mesa duket Kushtetuta, por edhe vetë shteti, është thjesht shesh-ndërtimi dhe nuk e di që sheshet e ndërtimit janë kthyer shpesh edhe sheshe krimi, të paktën po të lexosh historinë e mafies italiane. Xhufi u ka kërkuar dy drejtuesve të partive të mëdha të heqin dorë nga kjo rrugë dhe t‘u kthehen procedurave ligjore.