E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Kam firmosur me kusht, Presidenti nga populli

Megjithëse firmëtar në grupin mbështetës të Kryeministrit Berisha, deputeti Nikollë Lesi është shprehur dje publikisht në sallën e Kuvendit kundër zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë. Deputeti Lesi ka theksuar se "e kam hedhur firmën me kusht dhe me mirëbesim, se e votoj paketën PS—PD për sistemin proporcional rajonal dhe disa amendime të tjera, por duke përjashtuar një pikë, e cila është për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Zgjedhjen e Presidentit e votoj ose siç është, ose me votë nga populli, variantin me shumicë të thjeshtë nuk e votoj". Gjithashtu Lesi i ka kujtuar Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit se i është bashkuar anijes së 3 korrikut, pas premtimeve që ata bënë për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Ai ka kujtuar se lufta ndaj korrupsionit duhet të bëhet nga të gjitha hallkat, duke filluar arrestimet që nga salla e Kuvendit. "Në këtë anije, ku unë kam hipur më 3 korrik, kanë hyrë piratë, hajdutë, kontrabandistë, kanë hyrë ministra që po vjedhin me të dyja duart në buxhetin e shtetit; unë nuk mundem të rri në këtë anije për një kohë të gjatë", është shprehur Lesi. Duke zbardhur detaje nga takimi mes Kryeministrit dhe partive aleate të një nate më parë, Lesi ka kritikuar qëndrimin e Kryeministrit Berisha, ku ky i fundit ka qenë i paaftë të përballojë presionin e partive të vogla, duke u dorëzuar para tyre. "Berisha pranoi presionin e këtyre partive, të cilat kanë Gërdecin nëpër këmbë", tha Lesi. Kreu i LDK-së theksoi më tej se "jam për analizën e qeverisjes së mazhorancës, siç ka kërkuar Mustafaj, Zogaj e Starova dhe pasi të mbarojë edhe reforma kushtetuese për sistemin zgjedhor, unë nuk votoj më këtë qeveri të kryesuar nga Sali Berisha me këta ministra.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›