Topi, fitorja e parë brenda PD
Kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk e ndal ritmin e lojës politike brenda Partisë Demokratike dhe mazhorancës, duke peshuar fort dorën e tij, e cila ka grumbulluar përreth një lobing të fuqishëm, që ka dalë deri tani dhe determinues për vendosjen e ekuilibrave politikë brenda së djathtës. Ndryshimet kushtetuese dhe konkretisht mënyra e zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga një grup deputetësh të PD-së, pa u konsultuar më parë me gjithë grupin parlamentar, ka zbuluar një herë e mirë dy rrymat e kundërta që ekzistojnë në selinë blu. Prej disa ditësh, mbështetësit e Presidentit Topi, që tashmë janë një numër i konsideruar në grupin e PD-së, kanë deklaruar publikisht se janë kundër këtyre ndryshimeve, qëndrim i cili është përforcuar edhe nga vetë Presidenti gjatë një interviste për "Top Channel". Për të treguar se qëndrimi i këtyre deputetëve dhe Presidenti nuk është vetëm një tekë, por është qëndrim politik, të cilin Kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij në grup duhet ta analizojnë mirë, Presidenti Topi ka vijuar takimet dhe konsultimet dje edhe me përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare, të cilat janë kundër këtyre ndryshimeve. Në orët e para të paradites, në një nga hotelet kryesore të Tiranës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është takuar me kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka, kryetarin e PBL-së, Arian Starova, përfaqësuesin e PBDNJ-së, Spiro Peçi, si dhe kryetarin e PAD-së, Neritan Ceka. Takimi i tyre ka zgjatur për gati një orë e gjysmë dhe është zhvilluar pa praninë e medias, duke u vlerësuar prej pjesëmarrësve thjesht si një kafe miqësore, ku janë diskutuar çështjet më të fundit që shqetësojnë politikën. Sipas Cekës dhe Starovës, të cilët kanë qenë të vetmit që kanë preferuar të japin një koment në lidhje me këtë takim, "është diskutuar për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë problem, pasi po kalojnë me shpejtësi dhe pa një ekspertizë të specialistëve dhe pa u marrë mendimi i Komisionit të Venecias". Ndërsa Starova ka theksuar, se "edhe Presidenti i Republikës ka ndarë të njëjtin qëndrim me ta, duke ritheksuar atë çfarë ai ka deklaruar më parë, që ky proces nuk duhet të kryhet me këtë shpejtësi dhe pa u konsultuar më parë me specialistët dhe grupet e interesit. Ky takim nuk ka nxjerrë ndonjë qëndrim përfundimtar, por kreu i shtetit ka premtuar se do të ushtrojë kompetencat që i jep ligji për këtë çështje. Gjithashtu, kreu i shtetit ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të tjerë të Kuvendit, si deputetin Spartak Ngjela, i cili gjithashtu është kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese në mënyrë kaq urgjente. Takime të shumta, Presidenti Topi ka zhvilluar edhe me deputetë mbështetës të tij brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kundërshtia më e madhe nga të gjitha partitë politike, si edhe nga një pjesë e mirë e deputetëve të grupit të PD-së, bëhet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Kreu i shtetit dhe grupi mbështetës i tij, ku tashmë bëjnë pjesë edhe partitë e vogla të djathta, janë për variantin që kreu i shtetit të zgjidhet ose nga populli, ose me shumicë të cilësuar, ashtu siç është aktualisht në Kushtetutë. Ndërsa propozimi i një grupi deputetësh të PD-së, të cilët drejtohen nga Kryeministri Berisha dhe që mbështeten edhe nga kryeparlamentarja Topalli, janë për variantin që Presidenti të zgjidhet me shumicë të thjeshtë në raundin e pestë të votimit, nëse në tri raundet e para nuk arrihet zgjedhja e tij me 3/5. Pas këtyre zhvillimeve dhe qëndrimeve të deputetëve të mazhorancës, parashikimi i votave në Kuvend është mjaft i vështirë. Deri më tani, asnjë nga forcat politike nuk e ka numrin e duhur të votave për të miratuar këto ndryshime. As bashkëpunimi i PD-së me PS-në në këtë rast nuk ka funksionuar, duke e vështirësuar mjaft betejën e javën që vjen në Kuvend. Se çdo të ndodhë me ndryshimet kushtetuese dhe se cila do të jetë mënyra e zgjedhjes së Presidentit, kjo mbetet për t‘u parë në seancën parlamentare, ku vlen për të kujtuar se gjatë këtij mandati, në sallën e Kuvendit surprizat nuk kanë munguar.
Ngjela: Topi të japë dorëheqjen nëse kryhet puçi kushtetues
Ndryshimet kushtetuese të propozuar nga PD-ja kanë rritur ritmin e diskutimeve dhe takimeve politike. Pas takimit me drejtuesit e partive të djathta, të cilët kanë ngritur shqetësimin e tyre për mënyrën arbitrare me të cilën PD-ja do të prekë Kushtetutën, Presidenti Topi dje në mesditë të njëjtën bisedë ka zhvilluar edhe me deputetin Spartak Ngjela. Në një takim me kreun e shtetit, deputeti Ngjela ka parashtruar tre argumente, të cilat i sqaroi pas takimit. "Së pari, i theksova që shoqëria është përballë një puçi antikushtetues, ndaj i kërkova Presidentit që të qëndrojë si kolonë që mbron Kushtetutën dhe mbi të gjitha i thashë se në rast se e shikon çështjen që nuk mund të ecet me forma të tjera, një President që do shoqërinë e vet, që do të mbrojë Kushtetutën, kur shikon se po bëhet një grusht kushtetues, ai jep dorëheqjen". E dyta, i dhashë argumentet pse jemi para një grushti antikushtetues, sepse konstitucionalizmi e ka të prerë dallimin midis një ligji kushtetues dhe një ligji ordiner, që është fakti se njëri ndërron me ngadalë me shumë kujdes, me komisione të posaçme, në këtë rast kemi të bëjmë me ligjin kushtetues, ndërsa ai tjetri mund të ndërrojë menjëherë, sepse është ligj organik", theksoi Ngjela. Së treti, tha avokati, në këtë takim, Presidentit Topi, i paraqita të gjitha rezervat e mia dhe i kërkova forcën e tij për të rivendosur gjendjen në Himarë. Gjithashtu, Ngjela ka theksuar se Presidenti i Republikës, gjatë këtij takimi, ka mbajtur pozicionin e tij kushtetues, duke mos u shprehur konkretisht. Takimi ka zgjatur rreth 45 minuta dhe kreu i shtetit dje e ka pasur ditën mjaft të ngjeshur duke takuar personalitete të ndryshme të politikës shqiptare, nga të cilët ka dëgjuar pothuajse të njëjtin shqetësim: Kushtetuta nuk mund të ndryshohet dhe të preket kaq lehtë vetëm sepse dëshirojnë disa deputetë.