Gjinushi: "Jo" ndryshimit të Kushtetutës
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se nuk bëhet pjesë e asnjë ndryshimi kushtetues, që quhet pseudo-reformë. Sipas tij, Kushtetuta nuk ndryshohet me emocion dhe në mënyrë amatoreske. "Nuk ka pasur asnjë debat për reformë kushtetuese dhe kjo reformë nuk bëhet rrugëve dhe me emocione e aq më tepër kur nuk ka lindur nevoja për një gjë të tillë", u shpreh Gjinushi. Ndërsa shtoi se Kushtetuta është tepër e re, është më e re se sa shumica e politikanëve, kështu që nuk mund të ndryshohet Kushtetuta pa u ndryshuar së pari, ata që nuk duan ta zbatojnë atë. "Ne nuk hyjmë në debate se si duhet të zgjidhet Presidenti, pasi asnjë se ka kuptuar logjikën e kësaj Kushtetute, e cila është konceptuar me shumë kujdes", theksoi Gjinushi. Sipas tij, nëse lind nevoja për ndryshime, patjetër që këto duhen konceptuar si një paketë, pasi nenet e Kushtetutës kanë logjikën e tyre dhe janë të lidhur me njëra-tjetrën. "Po preke nenin që ka të bëjë me Presidentin e Republikës, Presidenti është kryetar i KLD-së, është ai që balancon pushtetet nëpërmjet shumicës parlamentare dhe nuk mund të jetë kurrë i një ngjyre me shumicën parlamentare", nënvizoi Gjinushi. Kreu i PSD-së nguli këmbë se nuk e mbështet Partinë Socialiste në këtë nismë.