Blushi: Reagimi i Presidentit, arbitrar
Ish-kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ben Blushi, deklaroi dje se mbështet zgjedhjen e Presidentit nga populli. "E kam kërkuar kur të gjithë e kundërshtonin dhe në një aspekt më vjen mirë që u kthyen aty për shkak të kufizimeve që ka sot ky Parlament", theksoi Blushi. Ndërsa vlerësoi se i vjen mirë, edhe për shkak të mënyrës se si është ndërtuar dhe si rregullohen raportet e brendshme. "Mund të gjendet në stilin shqiptar një e mesme, e cila jam i bindur prapë, do të jetë më e mirë se kjo që kemi", vlerësoi Blushi. Ai nënvizoi se socialistët janë të fokusuar te reforma zgjedhore. "Pavarësisht se nuk ka arsye dhe e kemi thënë që të mund të marrim në konsideratë pa asnjë diskutim edhe reforma të propozuara nga palë të tjera", u shpreh Blushi. Në fund të fundit, shtoi ai, të gjitha do të mund të ndihmojnë të përmirësojnë rendin politik në Shqipëri, i cili është relativisht anakronik. Në këndvështrimin e Blushit, mënyra se si reagoi Presidenti ishte pak arbitrare. "Sepse ne presim të reagojë Presidenti i Shqipërisë dhe jo Bamir Topi", vijoi Blushi. Ai siguroi se socialistët mendojnë se si të funksionojë më mirë institucioni i Presidencës dhe jo se si mund të rizgjidhet Bamir Topi në detyrë pas tre apo katër vitesh.