E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, si ia "shitën" votat Bollanos

Zgjedhjet e vitit 2000 për pushtetin lokal mbeten shembulli i vetëm i një aleance kombëtare në Bashkinë e Himarës. Bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike bëri të mundur të dilte në pah mbështetja reale që ka në këtë zonë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Proceset e mëtejshme zgjedhore kanë dëshmuar për një defekt të madh të klasës sonë politike. E majta dhe e djathta, përtej interesave kombëtare nuk kanë reshtur së bëri aleancë me PBDNJ-në dhe OMONIA-n, në dëm të shqiptarëve. Si pasojë e këtyre manovrave, përfaqësuesit e PS dh PD qëndrojnë në opozitë, ndërsa PBDNJ dhe OMONIA qeverisin me shifra qesharake të mbështetjes. Luks që e lejon më tej Vasil Bollanon dhe të tjerë si ai, të bëhen pjesë e incidenteve deri në përdhosje të simboleve tona kombëtare. Nga mbi 9 mijë zgjedhës që ndodhen në këtë zonë në regjistrat e votimit, Bollano dy herë ka fituar mandatin vetëm me rreth 1300 vota.

Viti 2000

Deri në zgjedhjet e pushtetit lokal në vitin 2000, kryetar i Bashkisë së Himarës ishte përfaqësuesi i Partisë Demokratike. Në procesin e këtij viti, në raundin e parë kandidati socialist, Viktor Mato, mori 32% të votave dhe kandidati i PBDNJ-së, Vasil Bollano, 36%. Përfaqësuesi i demokratëve mori një mbështetje më të vogël se socialistët, duke i lënë dy të parët në balotazh. Pas këtij momenti, dy forcat kryesore politike realizuan një koalicion lokal duke i mundësuar Viktor Matos (PS) fitoren e thellë në raundin e dytë.

Viti 2001

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Himara bënte pjesë në zonën zgjedhore numër 97 së bashku me Lukovën, Bratajn, Vranishtin dhe Kote. Kandidati socialist, Sabit Brokaj, mori në këtë zonë, përfshirë edhe Himarën, 41.812% të votave. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Luter Nuraj, mori 28.859% dhe kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vasil Bollano, 17.921% të votave. Bazuar në sistemin zgjedhor kandidatët e dy forcave kryesore politike kaluan në balotazh. Në raundin e dytë, votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kaluan te kandidati i socialistëve. Si pasojë e kësaj, Sabit Brokaj rezultoi fitues me 59.736% të votave kundrejt 40.264% të kandidatit demokrat. Në proporcional në këto zgjedhje, PBDNJ-ja mori 16.559% të votave.

Viti 2003

Në procesin e lokaleve të vitit 2003, Partia Demokratike bazuar në të dhënat e KQZ-së nuk figuron të ketë kandiduar në mazhoritar. Socialistët kanë marrë 882 vota, PDr 42, PDK 24, PDS 33, PSD 38. Sakaq, kandidati Vasil Bollano nën siglën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka marrë 1.317 vota ose ndryshe 56.38 %. Në proporcional, subjekti PBDNJ ka grumbulluar 821 vota në këto zgjedhje. Çka lë të kuptohet qartë se Bollano është ndihmuar me votat e demokratëve.

Viti 2005

Në procesin zgjedhor të vitit 2005, PBDNJ vendosi të kandidojë Spiro Peçin, por duke e cilësuar si të pavarur. Pas rindarjes territoriale të zonave zgjedhore, Himara tanimë bënte pjesë në zonën me numër 98. Bashkë me të ishin edhe Lukova, Vergo, Finiq dhe Delvinë. Një marrëveshje nën tavolinë bëri të mundur që socialistët të ishin inekzistentë në këtë proces zgjedhor. Peçi grumbulloi 5234 vota, kandidati demokrat, Arjan Dhimertika, mori 3800 vota. Sakaq, Nexhip Veliu për Lëvizjen Socialiste për Integrim grumbulloi 833 vota dhe Vladimir Demaj i Partisë Socialiste vetëm 252. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mori në proporcional në këto zgjedhje vetëm 1750 vota. Nga shifrat duket më se e qartë se diferenca mes votave është meritë e bashkëpunimit të socialistëve përmes vendosjes së një kandidati fantazmë që nuk mori as 1/3 e votave të LSI-së.

Viti 2007

Në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin lokal të majtët në koalicion kandiduan Aleks Taton që arriti të marrë 518 vota. Partia Demokratike u përfaqësua në zgjedhje me Dhimitri Llazari që mori 710 vota. Kandidati i LDLNJ-së, Kosta Andruco, mori 79 vota dhe Vasillaq Bollano i PBDNJ-së 1.264 vota. Në proporcional, partia e Vangjel Dules mori pesë këshilltarë, LDLNJ-ja një dhe 11 të tjerë i takojnë si rregull partive jo minoritare. Subjekti PBDNJ mori në këtë proces në total 833 vota, pra një diferencë prej më shumë se 500 votash nga Bollano.

Arta Dade

"Mazhoranca dhe opozita kanë përgjegjësinë që Himarën të fillojnë ta zhdukin nga harta e sherreve që vijnë nga frymëzimet e së shkuarës dhe ta fusin në listën e prioriteteve të zhvillimit e progresit"

Vangjel Dule

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pozicionohet pro kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollanos. Ai ka fajësuar mediat se kanë ngatërruar situatën dhe ka kërkuar që të regjistrohet popullsia në Himarë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›