E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Qeveria jonë do të garantojë punësim dhe strehim për jetimët”



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me disa familje në një prej qendrave të jetimëve, të cilët jetojnë në kushte tepër të rënduara pranë Shkollës së Hoteleri-Turizëm në Tiranë. I shoqëruar edhe nga nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra dhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, Meta bisedoi me kryetarin e Shoqatës së Jetimëve, Kadri Aliaj. Meta u njoh nga afër me hallet dhe problemet e kësaj kategorie, e cila jeton në kushte të vështira si rezultat i mungesës së punësimit dhe strehimit. Duke dëgjuar gjithë këto shqetësime, Meta i garantoi ata se pas 28 qershorit do të ketë një tjetër qeverisje, e cila do të mendojë për t’ua zgjidhur hallet kësaj shtrese shoqërore në nevojë, duke gjetur mundësitë për punësimin dhe strehimin e tyre. Meta tha se qeverisja e LSI-së do të garantojë punësim dhe strehim për jetimet, por edhe për çdo shtresë që jeton në kushte të vështira ekonomike. “Në themel të të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi, dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm, pasi është e tmerrshme të shikosh që njerëz që kanë qenë jetimë që të vegjël, të cilët edhe pasi kanë mbaruar shkollën e mesme, ndihen jo vetëm jetimë, por edhe të papunë, të paintegruar, të braktisur. Madje shpesh ka nga ata që përfundojnë në azile, pa punuar, pa u integruar në shoqëri. Mendoj se nuk duhet të ketë më në një Shqipëri të tillë. Një Shqipëri në NATO dhe një Shqipëri në Europë, duhet t’u japë mundësi të gjithëve dhe theksoj edhe një herë tjetër se duhet t’u japë mundësi jetimëve që të ndihen pjesë e gjithë kësaj familjeje të madhe, që duhet të jetë Shqipëria jonë e përbashkët. Besoj se përmes gjithë programeve që ne kemi tashmë si prioritet, që nga shkollimi në funksion të punësimit, sidomos lidhur me programet e punësimit, ku punësimi jetik do të jetë një shtyllë për të luftuar varfërinë akute që ka prekur një pjesë të mirë të shoqërisë sonë, ashtu si dhe vetë jetimët. Dhe programi ynë për punësimin e vazhdueshëm dhe afatgjatë do të ofrojë zgjidhje shumë të kënaqshme edhe për këtë shtresë shumë të rëndësishme dhe shumë të ndjeshme të shoqërisë sonë. Po kështu do të angazhohemi për zbatimin e ligjit për jetimët, që nga problemi i strehimit, që nuk zbatohet dhe nuk tregohet kujdes as nga qeveria, as nga organet e pushtetit vendor, dhe pastaj te çështja e punësimit, që është çështje themelore. Këta jetimë duhet të krijojnë familjet e tyre, duhet të ecin para në jetë dhe duhet të ndihen krejtësisht të barabartë me të gjithë shqiptarët e tjerë”, - tha kreu i LSI-së.e

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›