E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Koplik: “Do ta ndryshojmë Shqipërinë dhe do ta bëjmë atë europiane”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me Rrjetin e Vullnetarëve të Partisë Socialiste, ka zhvilluar dje një takim në qytetin e Koplikut të rrethit të Malësisë së Madhe. Në takimin e zhvilluar Rama ka deklaruar se PS-ja do ta ndryshojë Shqipërinë dhe do ta bëjë atë si gjithë Europa. “S’ka arsye që ne të mos jemi si gjithë fqinjët dhe gjithë Europa. Ne e duam Shqipërinë dhe do ta ndryshojmë atë, do ta bëjmë si gjithë Europa, duke çuar kështu në vend dhe amanetin e të parëve tanë”, - tha Rama.
Kreu i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij është shprehur për domosdoshmërinë e ndryshimit në radhë të parë të vetë politikës. “Që Shqipëria të ndryshojë, politika duhet të ndryshojë. Që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe i shpresës, politika duhet të nxitë punën dhe të ushqejë shpresën. Që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa, politika në Shqipëri duhet të bëhet europiane.
Ndryshimi që ne do të sjellim është ndryshimi i një epoke me një epokë tjetër, përmes një politike të re, që nuk jeton për të përbaltur dhe shkatërruar kundërshtarin, por për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe shkatërrimi që politika e vjetër prodhon prej 18 vjetësh dhe prej 18 vjetësh fut në të gjitha shtëpinë tona, duke ndotur çdo hapësirë komunikimi mes njëri-tjetrit. Ndryshimi që ne do të sjellim është ndryshimi që u duhet prindërve që nuk u blejnë dot abetaret fëmijëve për shkak të varfërisë; ndryshimi që u duhet grave, të cilat nuk u rrinë dot pranë foshnjave për shkak se nuk përfitojnë nga barrë-lindja për shkak të varfërisë. Ndryshimi që u duhet të rejave dhe të rinjve që nuk jetojnë dot të pavarur nga prindërit apo që marrin arratinë nga atdheu për shkak të papunësisë, ndryshimi që u duhet familjeve në qytet dhe në fshat, që nuk arrijnë dot fundin e muajit për shkak të varfërisë dhe papunësisë bashkë”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›