E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet e fshehta, PD-ja lidh kontratën për rezultatet në Tiranë

Këtë javë nisi sondazhi i kryer nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve. Cilat janë zonat dhe kategoritë ku PD-ja është e interesuar të testojë

Habjon Hasani
Partia Demokratike ka nisur këtë javë një nga planet e saj më serioze për testimin e elektoratit të kryeqytetit. Nëpërmjet kontraktimit të Qendrës Ndërkombëtare për Studime Shoqërore, PD-ja do të zhvillojë, në harkun kohor të dy javëve, sondazhin e saj të brendshëm, i cili konsiderohet si më i madhi i realizuar deri tani për këto zgjedhje. Ky nuk do të jetë një sondazh, rezultatet e të cilit do të kemi mundësinë t’i shohim të shpallura në konferenca shtypi, por do të jetë një “libër i brendshëm” i kësaj partie për të parë pikat e saj më të forta e më të dobëta në kryeqytet, nga ku më vonë, në bazë të rezultateve, do të fokusojë dhe fushatën e saj. “Albania” ka mundur të sigurojë programin e trajnimit për intervistuesit në terren të sondazhit, ndërsa duket se ky do të jetë një “investim serioz” i PD-së për të parë se ku është në raport me elektoratin e kryeqytetit. Çdo gjë është përcaktuar deri në detaje. Nga listat elektronike të zgjedhësve janë përzgjedhur një e nga një të gjithë personat e parashikuar për intervistë, ndërsa mendohet se do të jenë disa qindra personat që do të jenë subjekt i këtij pyetësori. Kriteret për personat që do të pyeten janë gërshetuar dhe janë aplikuar njësoj për çdo zonë të kryeqytetit, ku faktorë bazë të përzgjedhjes së personave ka qenë statusi i tyre civil dhe shoqëror, të ardhurat, problemet me pronat ose me legalizimet, punësimi si dhe statusi familjar. Për cilindo rajon janë përzgjedhur një larmi personash të tillë, të cilët nga fillimi i kësaj jave kanë filluar të intervistohen një e nga një.
Sondazhi
Kontrata e pagesës mes PD-së dhe Institutit që mundëson zbatimin e sondazhit nuk dihet se në çfarë termash është bërë, megjithatë është i sigurt fakti se sondazhi ofron një pagesë të kënaqshme për djemtë dhe vajzat që janë angazhuar për të bërë pyetësorin. Secili prej tyre paguhet rreth 2500 lekë për 6 intervista në ditë. Ndërkohë që personat e piketuar për t’u intervistuar janë të gjithë të renditur në një listë të posaçme, ku për operatorët që bëjnë pyetjet është rreptësisht e ndaluar të devijojnë nga lista. Nga ana tjetër, përveç listës kryesore, operatorët janë pajisur me një listë dytësore në rastet kur anëtarët e listës kryesore refuzojnë përgjigjet. Burime nga PD-ja bënë të ditur se sondazhit në fjalë i është dhënë një rëndësi e veçantë, ndërsa mendohet se rezultatet e tij do të diktojnë gjithë strategjinë elektorale për kryeqytetin. Ky është i pari sondazh i këtyre përmasave, i zhvilluar nga Partia Demokratike, ndërsa operatorët që do bëjnë pyetjet në terren janë përzgjedhur me kujdes, ku në të shumtën e rasteve ata nuk kanë mundësi njohjeje mes tyre. Mësohet se që prej qershorit 2008 Partia Demokratike ka angazhuar OJF të ndryshme të zhvillojnë sondazhe, ndërsa sondazhi në fjalë ka një pritshmëri të madhe nga strukturat e larta të PD-së, pasi tanimë po afrojnë zgjedhjet dhe orientimet duhet të jenë të sakta. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që ky sondazh zhvillohet në fshehtësi të plotë dhe me një infrastrukturë të admirueshme në dispozicion.

Kampionimi
Organizimi i këtij sondazhi ka sjellë dhe problemet tipike që sjell organizimi i sondazheve në Shqipëri. Për sondazhin në fjalë ekspertët e Institutit kanë kaluar jo pak kohë për të përcaktuar listën e njerëzve që do të përdoreshin si “kampionë” të sondazhit. Kampionimi është baza e punës së realizimit të një sondazhi dhe në rastin shqiptar është edhe më e vështira. Kampionimi është mënyra e përzgjedhjes së personave që do të merren në intervistë. Burimi i të dhënave më tipike për të nxjerrë një kampionim në sondazhet politike dhe zgjedhore është regjistri i votuesve ose numëratori telefonik. Por kjo vlen për vendet e zhvilluara. Në Shqipëri gabimi absolut (gabimi +/- X për qind që bëhet në raport me realitetin), që buron prej kampionimit të pamundur, është fillimisht të paktën +/- 5 për qind dhe në rastin e një sondazhi që i referohet Kodit të ri Zgjedhor (d.m.th. ndarjes së Shqipërisë elektorale në 12 zona zgjedhore) shkon në varësi të zonës nga +/- 5-10 për qind. Arsyeja pse në Shqipëri kampionimi është një mision i vështirë ka të bëjë pikërisht me mungesën e një statistike reale. Duke pasur parasysh se regjistri i Gjendjes Civile ende nuk është në gjendje të tregojë (deri në fund të shpërndarjes së kartave të identitetit) një statistikë reale, pasi regjistrat e Gjendjes Civile akoma nuk janë pastruar nga të dhëna të tepërta (si emigrantët, të vdekurit dhe duplikimet) dhe sidomos nga lëvizjet shumë aktive të popullsisë, që nuk pasqyrojnë ende vendndodhjen e votuesve.

Partitë u besojnë më shumë sondazheve të tyre

Në televizionet shqiptare, shumë javë para hapjes së fushatës elektorale, filluan të shfaqeshin rezultatet e disa kompanive të ndryshme, të cilat i kryenin ato për llogari të televizioneve. Këto sondazhe janë kundërshtuar nga formacionet politike sipas rezultatit të tyre, ndërsa këto formacione duket se janë të prira të besojnë më tepër sondazhet e brendshme, ato që i zhvillojnë larg syve të publikut e prej të cilave duan përgjigje të vërteta e jo rezultate demagogjike. Gjithsesi, edhe sondazhet e organizuara nga televizionet angazhuan firma prestigjioze si “Zogby” apo “Gani Bobi”. Sondazhi i “Zogby”-t u pa si më i besueshëm edhe për vetë përmasat ndërkombëtare të kësaj kompanie. “Koeficienti i besimit dhe përgatitja e pyetësorit e bëjnë sondazhin e ‘Zogby International’ më profesional sesa atë të ‘Gani Bobi’-t. Dy metodat e përdorura nga ‘Gani Bobi’ dhe ‘Zogby’ qëndrojnë pasi zbatojnë parimet e statistikës, por ‘Zogby International’ ka futur në përdorim metodat më bashkëkohore”, - vlerëson Milva Ekonomi, ish-drejtoresha e INSTATI-t, që aktualisht drejton institutin “Agenda”, duke komentuar edhe risinë e futjes së sondazheve, exit poll-eve, apo monitorimeve dhe reagimin e subjekteve politike. Ekonomi thotë se do të duhet edhe pak kohë që pranimi dhe reagimi ndaj sondazheve të tilla të bëhet pjesë e realitetit dhe kulturës së përgjithshme politike. Ajo pohon se vrojtimet duhet të përdoren edhe në çështje të tjera, për ta bërë sa më transparent një proces dhe për të pasur një perceptim sa më të qartë për qeverisjen, fenomenet apo problemet që ka shoqëruar sot.

Udhëzimet e sondazhit: U thoni njerëzve që do të intervistohen për studim sociologjik

Shkoni vetëm në adresat e dhëna në listën tuaj

Me të mbërritur në adresën e duhur, zhvillojeni intervistën vetëm me personin e përcaktuar në listën kryesore

Në rast se personi nuk është i disponueshëm, me mirësjellje pyeteni se kur mund të riktheheni. Duhet të provoni të paktën 3 herë për të intervistuar personin e caktuar, para se të kaloni te lista rezervë.

Kur nuk mundësoni personin e caktuar, atëherë kaloni te emri i parë në listën rezervë.

Përpiquni të flisni ekskluzivisht me personin e përcaktuar në listën kryesore. Sqarojeni se ai është përzgjedhur në mënyrë rastësore, si në një lotari. Nëse ju pyesin për detaje të mëtejshme mbi natyrën e përzgjedhjes, sqaroni se lista juaj emërore i referohet Regjistrit Kombëtar të Popullsisë.

Gjithnjë përmendni se puna që ju bëni ka lidhje me një STUDIM SOCIOLOGJIK, se të gjitha të dhënat do të mbeten plotësisht konfidenciale dhe se do të përdoren vetëm për të dhëna statistikore.

Gjatë zhvillimit të bisedës:

Sigurohuni që po lexoni qartësisht të gjitha pyetjet, së bashku me alternativat

Mos lexoni alternativat “Nuk di” dhe “S’kam përgjigje”

Mos anashkaloni asnjë pyetje, lexojini të gjitha

Mos ndryshoni absolutisht renditjen e pyetjeve. Lexojeni pyetjen ashtu siç është, pa anashkaluar asnjë fjalë.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›