G99-a: Koalicioni i Gërdecit rehabiliton fajtorët dhe kërcënon Drejtësinë
Lëvizja “G99” e ka cilësuar të ulët veprimin e kryeministrit Berisha, i cili edhe pse nuk ka kërkuar ende falje për krimin shtetëror të Gërdecit, ka vendosur të krijojë aleancë zgjedhore me të pandehurin kryesor të kësaj tragjedie, kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Aktivistja e G99-s, Olta Xhaçka, tha se krijimi i koalicionit të Gërdecit rehabiliton fajtorët dhe nga ana tjetër kërcënon Drejtësinë. ”Krijimi i kësaj aleance, ndërsa Drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit, tregon se kryeministri dhe kasta në pushtet po përpiqen të rehabilitojnë aleatin, i cili ishte përgjegjësi kryesor, personi në detyrë në momentin e shpërthimit vrastar. Ky veprim kurorëzon papërgjegjshmërinë që ka karakterizuar këtë maxhorancë gjatë këtij mandati, për t’u përballur në mënyrë dinjitoze me përgjegjësitë civile, morale dhe politike që solli Gërdeci dhe gjithë aferat korruptive në të cilat kjo qeveri është përfshirë. Berisha dhe Mediu, koalicioni qeveritar i të cilëve solli 4 vjet papunësi, varfëri, korrupsion dhe tragjedi të pashembullta, paturpësisht po u kërkojnë shqiptarëve votën dhe besimin për të qeverisur sikur asgjë të mos kish ndodhur”, - tha Xhaçka. e
25 Mars 2009