E Diel, 1 Nëntor 2026

Gëzhojat e mia



Kujtim DASHI

Dy artistë të njohur, njëri “Artist i Popullit” dhe tjetri “Artist i Merituar”, bëjnë ç'bëjnë i mbledhin do pare dhe hyjnë në një klub.
-Ç'dëshironi? - i pyet kamerierja.
- Prit pak sa t'i numërojmë. Po na dolën paret, ka mundësi të marrim dy birra, megjithëse më duket se… po, po i kemi tamam për dy birra.
- Edhe po nuk iu dolën, ua nxjerrë unë, pasi kam respekt të madh për
ju artistët.
- Faleminderit shumë, moj zonjë, shyqyr që të paktën ky respekt na ka mbetë…
Kamerierja sjell dy birrat dhe nisë me i hapë.
- Po meze a doni? - i pyet si për inerci.
- Shiko, a po na i lë njato tapa? - ia bëri njëri nga artistët.

* * *
Një natë, kur Shtjefën Palushi – Tefa, me dy-tre shokë të tij, mes të cilëve edhe një student nga Lezha që studionte për Gjuhë-Letërsi Shqipe, po rrinin në bordurën e lulishte “1 Maji”, përballë Kafes së Madhe në Shkodër, u afrohet nje pseudo humorist dhe i drejtohet Tefës:
- Due me të ba një pyetje të thjeshtë, Tefë!
- Urdhno, - i thotë Tefa.
- Cila makinë asht ma e mirë Xing Fuja apo Benzi?
Tefa vihet në siklet. Xing Fuja ishte veturë e prodhuar në Kinë, që ishte aleatja e vetme e Partisë së Punës, kurse Benzi i prodhuar në Gjermaninë Perëndimore, ishte vetura që përdorej vetëm nga anëtarët e Byrosë Politike.
Pa mendue gjatë Tefa i përgjigjet:
- Dihet ajo punë, Xing Fuja është!
- Jo, Tefë, nuk po i njihke mirë makinat, - i thotë bashkëbiseduesi me një ton qortues, të pahitur pak me humor.
Ndërkaq Tefa i përgjigjet:
- Unë makinat i njoh mirë, por nuk po të njoh ty se kush je!..

* * *
Takohen dy shokë nga Lezha, të cilët gjatë tranzicionit të pasegmentarizuar shqiptar e lanë qytetin e tyre, për të jetuar e punuar në Tiranë. U pyetën e u çpyetën dhe fjala shkoi aty ku dhemb dhëmbi, te të bijtë, që edhe ata kishin qenë shokë të ngushtë në Lezhë.
- Si e ke djalin?
- Aman, mos më pyet për të. A ba harrakat i madh, pa punë; e ka ba shpinë hotel, veç sa me e lanë adresën, edhe këtë kur i mbushet mendja. ǒpyet? Zene se s’e kam ma. Po ai i yti?
- Bereqavers, mirë deri tashti, veçse më ka nja tri të meta të vogla. Nguc e nuk duron, nuk din e s’mëson dhe harxhon e nuk fiton, - i përmblodhi të metat e vogla lezhiani.

* * *
Gazetarin e poetin Aleksandër Banushi e transferuan dikur nga kryeqyteti në shtëpinë e Kulturës së qytetit të Lezhës. Një shok i veti, si për t’i qarë hallin, e pyet si po ia kalonte.
- Shumë mirë!
- Pash nderin, ç’bëkeni tre vetë në atë shtëpi kulture gjithë ditën e
gjatë? - ngulmoi tjetri.
- Si ç’bëjmë?! Drejtorin tim e kënaqa tanë ditën e gjatë duke i treguar histori nga lufta nacionalçlirimtare. Dhe më dëgjon si fëmijë shkolle! Betejë këtu e betejë atje, predha e gëzhoja mbush dyshemeja.
- Mos, more, po pastruesja çfarë bën?
- Pastruesja mbledh gëzhojat e mia!..

* * *
Në faqet e fundit të regjistrave shkollorë ka një fletë të veçantë, ku shënohen të dhënat gjenealogjike të secilit nxënës të klasës. Teksa po shënonte këto të dhëna një mësuese e ciklit 9-vjeçar të një shkolle jopublike në kryeqytet, pyet një nxënës: - Babai, ku the se të punon, Avenir?
Nxënësi u mendua një hop. Njëherë desh t’i thoshte se e kishte pësuar nga reforma, anë nxjerrë, por e mblodhi mendjen për të vërtetën dhe u gjegj:
- Tani, shkruan e boton libra, mësuese!
- Libra?! Gjynah, i shkreti! - shprehu keqardhje mësuesja dhe në regjistër shkroi: “I papunë”.

* * *
Një deputet nga Lezha bëri pushimet në plazhin e Shëngjinit. Për t’u dobësuar, vraponte çdo mëngjes bregut të detit nga ish-kampi i punëtorëve, deri poshtë te Ura e Dajlanit. Herë-herë e ndalonin shokët e miqtë e tij.
“Hë, kam rënë ndonjë çikë? Po më ikën barku?”, i pyeste i merakosur dhe fuste barkun brenda, duke gënjyer veten se për çdo 100 apo 200 metra vrap, mund t’i binte dhjamosja e viteve deputetore.
Një ditë, pasi ia bëri të njëjtat pyetje një shokut të vet të hershëm, ky i përgjigjet me të qeshur:
“Dëgjo, zoti deputet, barku yt nuk është strajcë që bie rrugës edhe pa dashje.”

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›