E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Bruksel, merr pjesë në konferencën e grupit të PPE

Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë në Bruksel ku do të marrë pjesë në Konferencën me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, i cili organizohet sot nga Grupi i PPE-së, në Parlamentin Evropian.  Konferenca organizohet në kuadër të mbështetjes së gjatë dhe inkurajimit të fuqishëm që Grupi i PPE-së në PE u ka dhënë dhe u jep vendeve të Evropës Juglindore, në procesin e integrimit.
 

Kryeministri Berisha merr pjesë në këtë Konferencë, i ftuar nga Kryetari i Grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, zoti Joseph Daul, si folës kryesor në sesionin e parë me temë “Procesi i Stabilizim Asociimit: Eksperienca, Sfida dhe Mundësi ”. Gjithashtu, Konferenca do të trajtojë çështje që lidhen me progresin aktual dhe të ardhmen e integrimit evropian të vendeve të Evropës Jug – Lindore, si dhe mbi mbështetjen evropiane për Ballkanin, në lidhje me promovimin e një bashkëpunimi të fortë rajonal.
 

Në këtë konferencë, e cila do të hapet nga Kryetari i Grupit të PPE-së në PE, eurodeputeti Joseph Daul, do të marrin pjesë dhe Zëvendëskryetarët e Grupit Parlamentar të PPE-së, z.Gunnar Hokmark dhe z.Joannis Kasoulides, Kryeministri i Maqedonisë, Nicola Gruevski, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnie Hercegovinës Vjekoslav Bevanda, ish-kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor, i dërguari i posaçëm i BE-së në Bosnje- Hercegovinë Peter Sorensen, eurodeputetë si Elmar Brok dhe Eduard Kukan etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›