E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me situatën aktuale në Mitrovicë u është adresuar me një letër të posaçme liderëve të institucioneve të Kosovës: presidentes Atifete Jahjaga, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, si dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi.

Kurti shkruan se dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar, ku me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Ndërkaq, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë.

“Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë”, thekson Kurti në letrën e tij dhe i sugjeron presidentes Jahjaga që duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. “Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Pra, gjendjes që tashmë është e jashtëzakonshme, t’ia jepni të tillë edhe emrin zyrtar” thuhet ndër të tjera në letrën e Kurditi adresuar Jahjagës.

Ndërkaq nga Presidenti i Shqiprisë, Bamir Topi, lideri i Vetëvendosjes, kërkon inicimin e debati në organizata të ndryshme ndërkombëtare për të parandaluar spastrimin etnik në veri.

“Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë. Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000″ thuhet në letrën e Kurtit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›