Berisha në Davos, takon kreun e financave të Obamës
Kryeministri Berisha konfirmon angazhimin e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me administratën e Presidentit Obama. Gjatë qëndrimit në Davos, kreu i ekzekutivit është takuar me Drejtoreshën Ekzekutive të Grupit “PRITZKER REALTY GROUP L.L.C”, Pritzker, e cila gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Financave në stafin elektoral të Presidentit Obama. Sipas njoftimit për shtyp, Berisha ka njohur Pritzker me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe ecurinë e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe në krijimin e një klime të favorshme për biznesin. “Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen për projektet e rëndësishme të realizuara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit dhe projekte të financuara nga USAID, si projekti për modernizimin e sistemit të prokurimeve, ngritjen e sistemit elektronik të regjistrimit të bizneseve në “One Stop Shop”, modernizimin e sistemit të mbledhjes së taksave, si dhe për projektet në vazhdim”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë ditës së djeshme, Berisha është takuar edhe me homologun e tij turk, Taip Erdogan. “Dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po ecin me shpejtësi. Në këtë kontekst, ata u ndalën edhe në çështjen e gazsjellësit. Kryeministri Erdogan premtoi se ai dhe qeveria e tij do të përdorin të gjitha mundësitë që gazsjellësi të kalojë nëpër Shqipëri”, thuhet në njoftimin për shtyp. Dy kryeministrat diskutuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë, ku Kryeministri Erdogan ritheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Kreu i qeverisë u takua gjithashtu edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, Jacques Diouf. Kryeministri tha se infrastruktura rrugore po ndërtohet në mbarë Shqipërinë dhe për këtë, 32 për qind e buxhetit shkon për investime në rrugët e vendit, pasi zhvillimi i infrastrukturës ndihmon bizneset dhe fermerët e vendit dhe rrjedhimisht, zhvillimin e bujqësisë.