E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati për listat paraprake

 

Pas shkeljes së afatit nga dy partitë PS dhe PD për riformatimin e KQZ-së, tashmë afati tjetër i shkelur është ai për publikimin e listave paraprake të zgjedhësve nga ana e njësive të qeverisjes vendore. Në bazë të Kodit Zgjedhor, listat paraprake të zgjedhësve duhet të shpallen brenda 15 ditëve pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i Njësisë bashkiake numër 9, në Tiranë, Armond Habeli, në një prononcim për median thekson se “mos publikimi i listave paraprake vjen si shkak i mos heqjes së emrave të dubluar, që ekzistojnë në Regjistrin Elektronik të Gjendjes Civile”. Të njëjtin shqetësim shprehin edhe kryetarët e njësive të tjera bashkiake, të cilët kërkojnë që të mbyllet një herë problemi i dublimeve dhe më pas të realizohej shpallja e listave paraprake. Në bazë të ligjit aktual zgjedhor, listat përfundimtare duhet të shpallen 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, 28 qershor. Në votimet e mëparshme listat e zgjedhësve kanë qenë përherë objekt i polemikave mes maxhorancës dhe opozitës, të shoqëruara dhe me çështjen e votuesve me anë të certifikatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›