PD e Tiranës, Topalli: Me dy kandidatë
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli tha dje se në garën për degën e kësaj partie në Tiranë do të jenë dy kandidatë. Duke folur në një intervistë në "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, Topalli konfirmoi se ka një numër të madh kandidatësh të propozuar nga baza, por vetëm dy do të miratohen nga kryesia qendrore. "Është e vërtetë që ka shumë kandidatë në Tiranë. Disa janë prej disa vitesh, disa janë figura të reja. Numri i kandidatëve të propozuar nga seksionet e ndryshme është shumë i madh. Te ne do të zbatohet statuti, kalohet në seksione, në grupseksione, pastaj është kryesia e Tiranës dhe pastaj kryesia qendrore që bën seleksionimin dhe çon zakonisht dy emra. Kjo është praktikë e adoptuar prej vitesh. Por është e vërtetë që ka pasur emra më shumë se çdo herë tjetër", u shpreh Topalli. Gara për PD-në e Tiranës ka hyrë tani në fazën e saj përfundimtare, kur janë duke u zhvilluar zgjedhjet në seksionet e fundit që kanë ngelur ende pa kryetar. Më pas brenda një periudhe të shkurtër do të zhvillohen zgjedhjet për grupseksionet, të cilat janë 11 dhe në fund zgjedhjet për kreun e PD-së së kryeqytetit. Deri tani janë të paktën pesë kandidatë potencialë për këtë degë. Fillimisht ishte ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, që shpalli kandidaturën dhe pas tij zëdhënësi i grupit parlamentar, Aldo Bumçi, deputetët Lajla Përnaska dhe Edi Paloka, por edhe kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi.