E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD propozon Ristanin e Vokshin për kryetar të KQZ

 

BLEDAR HOTI

Arben Ristani dhe Albana Vokshi janë kandidatët e maxhorancës si kryetarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Socialistët dhe demok-ratët kanë përzgjedhur dy kandidatët për kreun e ri të KQZ-së. Me caktimin e këtyre emrave merr formë edhe institucioni i ri, që do të merret me administrimin e procesit të ri zgjedhor. Burime pranë të dyja partive bëjnë të ditur se Ristani dhe Vokshi janë kandidatët potencialë për kreun e KQZ-së. Ndërsa burimet theksojnë se maxhoranca preferon që në krye të këtij institucioni të jetë një person me eksperiencë në këtë fushë, duke e nxjerrë si më të favorizuar Ristanin. Deri përpara disa muajsh Ristani ka qenë anëtar i KQZ-së, por u largua pasi u emërua si drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Ndërsa mësohet se votimi për kryetarët mund të realizohet të hënën së bashku me kandidatët e tjerë për në KQZ.
Emrat e PD-PS
Në ditën e fundit të afatit ligjor socialistët kanë depozituar emrat e tyre për anëtarë në KQZ. Dëshira Subashi dhe Artan Laze janë propozimet e PS-së për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe që janë pranuar nga ana e demokratëve në konsultimet paraprake. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në një prononcim për mediat deklaroi se “emrat e socialistëve tashmë janë të depozituar pranë Kuvendit”. Gjithashtu, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka bërë ditur se edhe partia më e madhe në pushtet e ka realizuar këtë procedurë. “Mund t’ju them se emrat e depozituar kanë integritetin e duhur për të qenë anëtarë të KQZ-së”, theksoi Patozi për mediat. Ndërsa demokratët kanë paraqitur emrat e Hysen Osmanajt dhe të Vera Shtjefnit. Osmanaj aktualisht punon në Ministrinë e Brendshme dhe mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit. Ndërsa Shtjefni punon si anëtare në Komisionin e Shërbimit Civil. Kandidati i PS-së, Laze vjen nga sistemi gjyqësor dhe punon në një nga gjykatat e Gjirokastrës. Ndërsa Subashi rikonfirmohet në postin e anëtares së KQZ-së, duke tentuar që më pas të marrë postin e zëvendëskryetares. Socialistët dhe demokratët kishin rënë dakord parimisht, që njëri prej të propozuarve të jetë anëtar aktual i KQZ-së, pasi nevojiten njerëz me eksperiencë për shkak se jemi vetëm pesë muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme. Demokratët kanë lëshuar për Subashin, duke tentuar që kryetari i ardhshëm i KQZ-së të jetë një njeri me eksperiencë siç është Ristani. Kandidaturat e paraqitura nga partitë e tjera janë alternative, ku republikanët kanë paraqitur Klement Zgurin dhe Arben Braçen, ndërsa socialdemokratët kanë rekomanduar Pandeli Varfin dhe Pavli Zërin. Të hënën, komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të shqyrtojë kandidaturat e paraqitura, nëse ato janë në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në seancën e pasdites të kësaj të hëne pritet të bëhet edhe votimi i shtatë anëtarëve të KQZ-së.

Arben Ristani

Me profesionin e juristit, Ristani, aktualisht mban postin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës. Ai la detyrën si anëtar i KQZ-së për t’u rizgjedhur nga ana e Presidentit Topi në detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Në vitin 2003, Ristani ka punuar edhe si këshilltar i jashtëm i ish-presidentit Alfred Moisiu. Deri në vitin 2006 ka punuar si avokat dhe ka qenë nënkryetar i Dhomës së Avokatisë. Më pas u zgjodh nga Kuvendi si anëtar i KQZ-së. Ai propozua në atë kohë nga ana e Partisë Republikane dhe u mbështet nga ana e maxhorancës në votimin e kryer më datën 28 korrik 2006.

Albana Vokshi

Kandidatja për postin e kryetares, ka mbaruar në vitin 1994 Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë në qershor 1994. Aktualisht, mban funksionin e drejtoreshës në Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj. Ka kryer disa trajnime të ndryshme në fushën e Ekonomisë. Ka një Master në Administrim Publik për Menaxhimin e Politikave Ekonomike, Shkolla e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike, Universiteti i Kolumbias në Nju Jork, në 2002-2003. Vokshi ka qenë me punë dhe në Kabul të Afganistanit nga viti 2004 deri në tetor të vitit 2005.

Kandidatët për anëtarë te KQZ

Parti Socialiste

• Artan Laze
• Deshira Subashi

Partia Demokratike

• Osman Hysenaj
• Vera Shtjefni
Partia Republikane

• Klement Zguri
• Arben Braçe

Partia Socialdemokrate

• Pandeli Varfi
• Pavli Zëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›