E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ne Elbasan Vote per bashkimin me Tiranen

Kryeministri Sali Berisha në mitingun përmbyllës në Elbasan ka theksuar se vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, është votë për bashkimin e këtij qyteti me Tiranën në pranverën e vitit 2013
 
“8 maji është vota juaj për Elbasanin, qytetin me infrastrukturën më moderne evropiane, qytetin nyjën kryesore e Korridorit 8 dhe Boshtit të Jugut, është vota për Elbasanin i cili në pranverën e vitit 2013 do të bashkohet me Tiranën. Në pranverën e vitit 2013 me qytetarin e parë të Tiranës, Lulzim Bashën dhe qytetarin e parë të Elbasanit, Durim Hushin, do të presim shiritin e shndërrimit në realitet të një ëndrre fisnike, shekullore, të qytetarëve të mrekullueshëm të Elbasanit, tunelin e Krrabës dhe autostradën që shkurton në më pak se 20 minuta distancën midis këtyre dy qyteteve”-tha Berisha.

Kreu i qeverisë u ndal në investimet e kryera gjatë katër viteve dhe premtoi realizimin e projekteve të tjera si bypassin dhe unazën e këtij qyteti, rrugë të asfaltuara në komunat dhe fshatrat e këtij qarku.  Ai ftoi qytetarët që më 8 maj të shkojnë të gjithë në votime.

“Më 8 Maj ju ftoj të gjithëve tek kutitë e votimit, të vlerësoni bindjet tuaja politike. Ndaj të votojmë të gjithë si qytetarë të lirë. Në alternativën tonë nuk ka armiq, armiqtë le të ecin në rrugën e vetme apo të vetmisë. Në shtëpitë tonë mirësetëvijë cilido qytetar i Elbasanit, cilido qytetar i Shqipërisë”-tha Berisha.

Në Elbasan, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” që vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Durim Hushi është në garë më Qazim Sejdinin, e Partisë Socialiste që kandidon për një mandat të dytë.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›