E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, Meta: Këto zgjedhje janë për qytetarin dhe jo për politikën

Ilir Meta u kërkoi anëtarëve të LSI-së që të votojnë Andrea Manon për kryetar të Bashkisë së Korçës.

Korçë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi dje në Korçë kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Andrea Mano. Gjatë fjalës, Meta shprehu bindjen se më 8 maj, Korça do të votojë për këtë forcë politike, e cila sipas tij ka kontribuar dhe po kontribuon për integrimin e Shqipërisë. Meta u kërkoi anëtarëve të LSI-së, që të votojnë Andrea Manon më 8 maj. “Unë jam i bindur se anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke votuar për Andrea Manon si kryebashkiak i qytetit të Korçës më 8 maj, kanë votuar për një projekt të përbashkët, bashkëqeverisje për Bashkinë e Korçës, kanë votuar që më 9 maj qytetarët korçarë të mos ndihen të ndarë në llogore politike. Këto zgjedhje janë për qytetarin, këto zgjedhje nuk janë për politikën. Por sikurse e dimë, ka një forcë politike që kërkon t’i paraqesë këto zgjedhje më 8 maj, si politike. Ka një forcë politike, që u bën thirrje qytetarëve të Korçës që të votojnë këtu për përfaqësuesin e saj politik, që i kërkon votat e Korçës jo për të zgjidhur problemet e qytetarëve korçarë, por për të përdorur Bashkinë e Korçës për luftë politike sikurse këtë kërkojnë ta bëjnë dhe në bashki të tjera të vendit”, - tha dje Meta. Kryetari i LSI-së shtoi se nuk është detyra e kryebashkiakëve që të jenë në llogoren e parë të luftës politike, por është detyra e tyre që të jenë qytetarët e parë të qyteteve të tyre. “Punësimi është dhe do të jetë objektivi ynë madhor i përditshëm dhe jam i bindur se projektet e Andrea Manos dhe kryebashkiakëve të tjerë të “Aleancës për Qytetarin” të angazhuar për të luftuar papunësinë në qytetet e tyre sjellin një model të ri të qeverisjes vendore dhe të përgjegjësisë sociale të atyre që votojnë”,- tha Meta. Po dje, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët e qarkut të Durrësit, Lefter Koka dhe Osman Metalla, prezantoi edhe kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në komunat Rrashbull, Hysen Gashi dhe Ardian Kokomani për komunën Gjepalaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›