E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Himarë: “Turizmi ka pësuar një rritje prej 36 përqindësh”



Kryeministri i vendit, Sali Berisha, përuroi dje fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Potam në Himarë. Gjatë ceremonisë së përurimit, Berisha, ndër të tjera, bëri të ditur se gjatë këtij viti, pavarësisht krizës ekonomike botërore, në Shqipëri turizmi pësoi një rritje 36%. “Zhvillimi i turizmit përbën një përparësi absolute për qeverinë tonë. Zhvillimi i turizmit dhe bumi turistik janë tipari më kryesor i këtyre viteve. Shqipëri, këtë vit, me sa duket, do të zërë vendin e parë në botë, sipas disa agjencive të huaja, për rritjen e shpejtë të numrit të turistëve. Viti i krizës më të madhe botërore në Shqipëri u shoqërua nga një rritje prej 36 përqindësh të turizmit krahasuar me vitin e kaluar. Turizmi është ajo degë e ekonomisë shqiptare nga e cila përfiton numri më i madh i familjeve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur Berisha. Ai kërkoi që qeveritë vendore dhe qeveria qendrore duhet t’i shndërrojnë në përparësi absolute ndërhyrjet e shpejta për të përgatitur vitin e ardhshëm një sezon turistik, më të mirin që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj. Në takimin e zhvilluar me banorët e zonës, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha u shpreh se zotimi i qeverisë për të asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit përbën tashmë një premtim të mbajtur. Kryeministri siguroi se brenda vitit 2010 do të asfaltohet çdo metër rrugë e fshatrave të brigjeve të Jonit dhe Adriatikut. Berisha gjithashtu premtoi se paralelisht me projektin e asfaltimit të rrugëve do të ecet në drejtim të furnizimit me ujë të të gjithë zonës bregdetare, si dhe të zbatimit të një seri projektesh të tjera, në mënyrë që viti i ardhshëm të jetë një vit turistik më i mirë në të gjitha aspektet.
“Sot ne inauguruam një seri punësh publike, të cilat, në tërësinë e tyre, janë projekti më i madh pas ndërtimit të rrugës kryesore, janë rreth 25 km rrugë që lidhin fshatra e bregut me detin dhe plazhet e tij. Ky përbën një premtim të mbajtur nga ne. Zotimi ynë për të asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, realisht po shkon drejt përmbushjes së plotë dhe brenda vitit 2010, nga Ksamili në Velipojë ne do të asfaltojmë çdo metër rrugë të fshatrave të brigjeve të Jonit dhe të Adriatikut. Paralel me këtë projekt dhe po me kaq vendosmëri ne do të ecim në drejtim të furnizimit me ujë të të gjithë zonës bregdetare. Janë një seri projektesh në zbatim e sipër. Qeveria do t’i përshpejtojë ato dhe do të bëjë çdo përpjekje që viti i ardhshëm të jetë një vit turistik edhe më i mirë se viti që lëmë pas”, - është shprehur Berisha, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të zonave turistike që të bëjnë ndërtime në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të shtojnë mundësitë e pritjes së turistëve. “Një thirrje miqësore u bëj të gjithë qytetarëve të Himarës, të Lukovës, të Ksamilit, të Sarandës dhe të Bregut në tërësi, që të shfrytëzojnë mundësinë e zgjerimit të shtëpive të tyre, e shtimit të një kati, apo shtimit të një dhome, të përmirësimit të tyre pasi shteti do të garantojë kredi të buta, dhe kjo është një nga mënyrat kryesore për të përballuar fluksin e një rritje më të madhe”, - është shprehur Berisha.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›