E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekjet e Berishës për të “izoluar” pozitat e Topit



Eljona Ballhysa
Gjatë katër viteve të kaluara marrëdhëniet midis kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Republikës Topi kanë shënuar plasaritje. I gjendur përballë një presidenti të ri që kërkonte të ruante balancat dhe të ishte garant i Kushtetutës pa mbajtur anën e PD-së, Berisha u përpoq shpeshherë që gjatë mandatit të parë qeverisës t’i tkurrte pozitat e Topit në PD dhe të zvogëlonte sa më shumë kompetencat e tij. Berisha ishte ai që në listën e ndryshimeve kushtetuese propozoi kundërfirmosjen e dekreteve të presidentit, propozim ky që u rrëzua më pas. Po kështu, dy politikanët jo pak herë matën forcat me njëri-tjetrin, siç është rasti i bllokimit të dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë, apo mospërfshirja në listat e deputetëve të mbështetësve të Topit në PD. Madje, edhe kohët e fundit dy politikanët po tregojnë dy qëndrime të ndryshme përsa i përket politikës së ndjekur në rajonin e Ballkanit. Nga njëra anë presidenti Topi është përpjekur të ulë në tryezë krerët e shteteve të rajonit dhe të zbusë tensionet midis shteteve në Ballkan. Ndërsa së fundi, në mediat e huaja po shikohet si e dyshimtë deklarata e Berishës për “të bashkuar dy kombet, Kosovën dhe Shqipërinë”. Marrëdhëniet e ndera midis dy politikanëve duken dhe aktualisht kur kreu i shtetit nuk e ka uruar ende kryeministrin dhe ish-kryetarin e partisë së tij për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
Ndryshimet kushtetuese
Nëpërmjet një pakete të tërë amendamentesh kushtetuese, të prezantuara në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, shumica e kontrolluar nga lideri i së djathtës kërkoi që të sanksionojë në Kushtetutë një kufizim të së drejtës së kreut të shtetit për dekretet. Bëhet fjalë për ndryshimin e Nenit 93 të Kushtetutës, sipas të cilit, të gjitha dekretet e nxjerra nga presidenti, përpara se të marrin fuqi vepruese, duhet të kundërfirmosen nga kryeministri apo ministri i linjës. Një propozim i tillë u kundërshtua ashpër jo vetëm nga opozita, por dhe nga aleatët e PD-së në atë kohë dhe u rrëzua. Por, në Kuvend u miratua me konsensusin e PS-së propozimi tjetër i PD-së për zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë votash. Nisur nga problematika që u has gjatë verës së vitit 2007, ku mungesa e 2/3 të votave për zgjedhjen e presidentit rrezikoi çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, PD-ja vendosi që të ndryshojë praktikën e votimit për zgjedhjen e presidentit, ku në votimin e 5-të dhe të fundit parashikohet që për të zgjedhur kreun e shtetit mjafton një shumicë e thjeshtë 50 për qind, plus 1 votë. Ky propozim rrëzoi edhe kërkesën e vazhdueshme, të mbështetur edhe nga presidenti Topi, për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm nga populli.
Përplasjet
Përplasja më e madhe publike mes dy politikanëve u shënua në bllokimin në Kuvend të dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kreu i shtetit i propozoi Parlamentit emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por maxhoranca i rrëzoi në Kuvend me pretendimin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me Kuvendin. Në fakt, dekretet u rrëzuan pasi nuk gëzonin pëlqimin e kreut të qeverisë. Ndërkaq, përplasjet e vazhdueshme të dy përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, janë parë si përplasjet de fakto midis Berishës dhe Topit. Kreu i qeverisë, përveç akuzave ndaj Topit për krijimin e një pakice bllokuese në Kuvend, e ka cilësuar si përgjegjës për emërimin e kryeprokurores Rama, e cila nuk ka mbajtur anën e PD-së. Nga ana tjetër, edhe presidenti Topi ka rrëzuar disa nisma të PD-së, siç ishin ndryshimet në ligjin e legalizimeve, me të cilat PD-ja synonte të merrte kompetencat e pushtetit vendor. Ndërkaq, Topi nuk dekretoi ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist për shkak se nuk u votua nga opozita, e cila e cilësoi antikushtetuese nismën e PD-së. Marrëdhëniet e ndera mes palëve duken edhe në situatën e sotme politike, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe kreu i shtetit ende nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar për zgjedhjet dhe për fitoren e PD-së në këto zgjedhje.

Përplasjet

Ndryshimet kushtetuese tkurrën kompetencat e presidentit
Heqja nga lista e deputetëve mbështetës të tij
Akuzat e Berishës ndaj Topit për krijimin e një pakice bllokuese në Kuvend
Përplaset Alibeaj-Spahiu janë parë si përplasje Berisha-Topi
Bllokimi i dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë
Përplasjet për disa ndryshime në ligjin e legalizimeve
Presidenti Topi nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar për zgjedhjet
Ndjekja e politikave të ndryshme për situatën në rajonin e Ballkanit

Eliminimi i grupit të mbështetësve të Topit dhe forcimi i pozitave në PD

Ndonëse nuk arriti të siguronte një fitore që do t’i jepte një maxhorancë të fortë qeverisëse, kryetari i Partisë Demokratike, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, arriti një fitore të fortë nga pikëpamja partiake. Produkti i këtyre zgjedhjeve solli në selinë blu zhdukjen e klaneve të ndryshme apo grupimeve të mendimit ndryshe brenda partisë. Tani, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i PD-së, Berisha, e ka shumë më të lehtë se më parë të drejtojë Grupin Parlamentar të kësaj partie. Kjo për faktin se në të nuk bëjnë pjesë të ashtuquajturit mbështetësit e presidentit Bamir Topi, ose “pakica bllokuese”, siç e ka cilësuar vetë kryetari Berisha. Në Grupin Parlamentar të PD-së mungon dhe grupi i të moderuarve, ata që në momente kyçe arrinin të kritikonin kryetarin e partisë së tyre. Tashmë, ndryshe nga katër vite më parë, Berisha ka arritur të sigurojë sundimin e plotë të deputetëve të tij. Sistemi i ri zgjedhor i dha shumë fuqi kryetarit të PD-së për të vendosur emrat e mbështetësve të tij të betuar në listën e kandidatëve për deputetë pa pasur ndikim nga askush. Pikërisht për këtë arsye ai la jashtë listës së kandidatëve një numër të konsiderueshëm deputetësh. Shumë prej tyre ishin të njohur për mbështetjen nga presidenti Bamir Topi. Të tillë ishin Sami Gjergji, Ndriçim Babasi, Pal Dajçi, Sali Shehu, Dashnor Sula e Gazmend Oketa. Ndërsa Sami Gjergji u tërhoq nga kandidimi për shkak të vendit të pafavorshëm në listë, të tjerët, megjithëse kishin vite që i shërbenin PD-së, nuk u kandiduan. Ndërsa i vetmi që mund të cilësohet si përfaqësues i ish-nënkryetarit të PD-së, Topi, është Gazmend Oketa. Ky i fundit, pavarësisht postit të ministrit të Mbrojtjes, u vendos në vendin e katërt në listën e PD-së në qytetin e Durrësit, pra në një pozicion jo fort të favorshëm. E gjithë kjo strategji dukej se kishte si synim eliminimin e ndikimit të ish-nënkryetarit Topi në PD. Dhe duket qartë se ky qëllim i kryetarit të PD-së Berisha është arritur. Me konfiguracionin e ri të Grupit Parlamentar të PD-së, presidenti Topi, një nga figurat më potente të Partisë Demokratike, nuk ka më asnjë ndikim në këtë parti. Ndryshe nga katër vite më parë, ku për shkak të një grupi deputetësh Topi arriti të krijonte një pakicë bllokuese në Kuvend, këtë radhë ai është i vetëm përballë Berishës, që ka sundimin e plotë në Partinë Demokratike. Një grup tjetër, nëse mund të cilësohet në këtë mënyrë, ishin figurat e moderuara të partisë. Pikërisht ata që guxonin të jepnin një mendim ndryshe nga vendimi politik, madje kishin kurajën që të kritikonin disa vendime të qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Të tillë ishin Besnik Mustafaj, Preç Zogaj e Aleksandër Biberaj. Që të tria këto figura nuk u përfshinë në listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, duke u lënë qëllimisht jashtë Kuvendit të ri. Arsyeja e përjashtimit ishte pikërisht qëndrimi i tyre në disa raste në kundërshtim me vendimin politik të partisë.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›