E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministren kosovare të Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli.

Kryeministri Berisha priti të hënën pasdite Ministren kosovare të Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, ardhur për një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të Ministrit të Brendshëm Sokol Olldashi.
Biseda u përqendrua në zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke patur parasysh sidomos projektin e rëndësishëm të rrugës Durrës-Prishtinë si dhe nevojën për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar.
Në lidhje me procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar, kryeministri Berisha theksoi se ai duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e serbëve dhe pakicave të tjera si cilësi themelore të cdo demokracie moderne.
Ai vuri në dukje rëndësinë e procesit të decentralizimit dhe u shpreh se inkurajon dialogun Prishtinë-Beograd për cështje që nuk lidhen me statusin për të kontribuar në krijimin e një klime të re në rajon.
Nga ana e saj, Ministrja Tërmkolli, theksoi se qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të guximshëm për realizimin e standarteve demokratike që në rradhë të parë janë në interes të vetë Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›