Berisha në Kavajë kërkon votën për republikanët

12/06/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar dje një takim me zgjedhësit e zonës 48 në Kavajë, zonë ku është kandidat për deputet. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka kërkuar nga zgjedhësit që votat e proporcionalit t’i kalojnë kandidatit të PR-së, Parid Teferiçi. “Kavajën në këtë zonë do ta përfaqësojnë dy deputetë. Ju ftoj ju që çdo votë për mua në mazhoritar, ta kaloni për Parid Teferiçin në proporcional. Në mënyrë që ai të ulet së bashku me mua në parlamentin e ardhshëm. Unë kam shumë miq të mi këtu, shumë bashkëthemelues të Partisë Demokratike në Kavajë e në Tiranë, por zgjodha Paridin me qëllimin për të ripërtërirë Partinë Demokratike. Ai është përfaqësues i shkëlqyer i krijimtarisë së qytetit tuaj”, tha Berisha. Në një takim me biznesmenët e këtij qyteti, lideri demokrat ka premtuar dhe një herë ulje taksash, si dhe prioritetet e PD-së, për sa i përket trurizmit. “Në funksion të punësimit të shqiptarëve, të mirëqenies së tyre, të zhvillimit të biznesit dhe të zhvillimit të ekonomisë së vendit, ne besojmë se ulja e taksave është ‘leva e Arkimedit’ për ndryshimin e Shqipërisë. Ne, si qeveri, do të bëjmë çdo përpjekje për punësimin e shqiptarëve në kushtet e tregut të lirë. Për këtë ne do të përgjysmojmë taksat për biznesin e vogël”, tha Berisha.