E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI, akuzë socialistëve për dhunë ndaj kandidatëve

12/06/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar Partinë Socialiste se po kërcënon fizikisht kandidatët për deputet të kësaj partie. Sipas zëdhënësit politik të LSI-së, Sokol Dervishaj, “LSI denoncon aktin e kryer nga njerëz të kandidates së PS-së dhe ish-prefektes së Fierit, Rajmonda Stefa, të cilët pas një debati elektoral në një TV lokal shkaktuan një incident të dhunshëm ndaj kandidatit të LSI-së, njëkohësisht dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Dritan Prifti”. Dervishaj thekson se ky nuk është një rast i shkëputur, pasi prej më shumë se tetë muaj që nga themelimi i LSI-së janë të shumta rastet e kërcënimeve dhe largimeve nga detyra të anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj force politike nga Partia Socialiste. Gjithashtu, Dervishaj ka sulmuar dhe fenomenin e “Dushkut”, që dy forcat kryesore të politikës po synojnë të aplikojnë në këto zgjedhje. Ai ka hedhur poshtë bashkëpunimin mes LSI-së dhe PS-së në nivel kandidatësh. “LSI-ja nuk ka nevojë të jetë në trenin e askujt dhe aq më pak të PS-së, lokomotiva e të cilit është vërtet me famë, por jo për të mirëqeverisur dhe zgjidhur hallet e këtij populli, por për korrupsionin që e ka mbërthyer në çdo nivel. Avullorja e PS-së kësaj here ka mbetur pa shina dhe nuk ka ku të lëvizë, përveçse të dalë jashtë rruge”, tha Dervishaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›