E Diel, 1 Nëntor 2026

PDR: Të japin dorëheqjen të gjithë funksionarët

12/06/2005  PDR ka deklaruar dje se dorëheqja e drejtorit të KESH dhe atij Doganave duhet të ndiqet dhe nga të tjerë kandidatë të PS-së, të cilët vazhdojnë të gëzojnë postet e tyre politike. “Nga presioni pozitiv i ushtruar nga Presidenti i Republikës dhe faktori ndërkombëtar, një pjesë e funksionarëve të lartë të shtetit, që kandidojnë për PS, kanë dhënë dje dorëheqjen nga ofiqet e tyre. Do t`i kërkonim Kryeministrit Nano dhe ministrave përkatës që të emëronin sa më shpejt zëvendësuesit e këtyre funksionarëve, në mënyrë që të mos kemi funksionarë të dorëhequr, që vazhdojnë akoma të drejtojnë fushatën nga zyrat e tyre. Nga ana tjetër, ende ka funksionarë të lartë, të cilët nuk e kanë dhënë dorëheqjen. Këta persona që kandidojnë për Partinë Socialiste, duhet të ndjekin menjëherë shembullin e vonuar, por, gjithsesi, pozitiv të kolegëve të tyre. Ne nuk mund të lejojmë që fondet publike, pozicionet e larta shtetërore të përdoren nga partia në pushtet për përfitime në fushatën elektorale. Kështu, jemi të vendosur të monitorojme deri në fund këtë proces”, thuhet në deklaratën e PDR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›