“I dashur Lala, qëndro.. por me pagë më të vogël”
Jetmir Halilaj
Presidenti i klubit të Hanoverit, Martin Kind, është i gatshëm të mbajë në skuadër Altin Lalën, por me kushtin e reduktimit të pagesës për 33-vjeçarin shqiptar, “besnikut” që luan prej 11 vjetësh për klubin e njohur gjerman të Bundesligës 1.Në fakt, kjo është brenda politikës së klubit për pagesa më të vogla, e në të është përfshirë është edhe një tjetër veteran, 32-vjeçari Jiri Shtajner, një tjetër lojtar që militon për një kohë të gjatë për Hanoverin, por që nuk është më një kult aty. Gjithsesi, me Lalën është ndryshe, pasi ai është shndërruar në një simbol te Hanoveri dhe është një prej të adhuruarve të tifozëve të kuq, apo “Die Roten”, siç njihen në Gjermani. Sipas faqes online të gazetës gjermane “Hanoverische Zeitung”, tifozët e Hanoverit e kanë pritur me duartrokitje iniciativën e shefit të Hanoverit, Martin Kind, për të rinovuar kontratën me Lalën.
KRITIKAT
Ndeshja e fundit e Lalës në kampionatin gjerman ishte ajo në humbjen 4-1 kundër Verder Bremenit dhe Altini, i hedhur nga trajneri Diter Hekinig në pjesën e dytë (74’) kur rezultati ishte 1-1, kishte për detyrë të mbulonte rreptë yllin brazilian Diego, por që në rastin e golit të dytë të Verderit (77’) edhe ai kishte pak faj. “Ishte një situatë aspak e favorshme, - sqaron Lala, - topi i ishte drejtuar portës, Diego e kuptoi shumë mirë dhe e shfrytëzoi dhe vetëm sa e shtyu në rrjetë. Cilësitë e tij sportive në duele u injoruan prej të tjerëve, por ai është një nga futbollistët më të mirë në Evropë”. Gjithsesi, tifozët e Hanoverit u mërzitën jo pak me Lalën. “Kritikat ndoshta dhe i meritoj, por kjo nuk më bën të çmendem”, ka thënë ai.
DY VJET
“Lala natyrisht e di, që koha e tij si futbollist po shkon drejt fundit, por cilësitë e tij sportive janë të shumta. Ai është shndërruar në identitetin e Hanoverit”, tha presidenti i Hanoverit, Martin Kind. Lala nga ana e tij u shpreh: “Unë do të luaj akoma edhe dy vjet. Dhe nëse nuk do të luaj te Hanover 96, do të shoh diku tjetër”. Në fakt, Martin Kind është në pritje të reagimit edhe të fansave të Hanoverit.