Berisha në Kinë, kërkon njohjen e Kosovës
Kryeministri Berisha shfrytëzon vizitën në Kinë me rastin e Lojërave Olimpike për të kërkuar nga shteti kinez rikonsiderimin e pavarësisë së Kosovës. Gjatë një takimi me ministrin e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Wang Jiarui, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e lartë që do të kishte një rishqyrtim dhe rikonsiderim i pavarësisë së Kosovës nga ana e Kinës, duke theksuar se tek Shqipëria, Kina ka një vend mik dhe me Kosovën e pavarur do të ketë një tjetër vend mik. Ministri Jiarui u shpreh nga ana e tij se po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike në rajon dhe veçanërisht e gëzonte ecuria e Kosovës në këta muaj. Ai u shpreh se kjo është një çështje për të cilën duhet një dialog dhe vlerësim i vazhdueshëm. Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë kemi një Ballkan tjetër, më të stabilizuar dhe se në të kemi një realitet të ri që është Kosova e pavarur, e njohur nga 43 shtete, në pak muaj, të cilat nuk e kanë njohur as për të shpërblyer shqiptarët dhe as për të ndëshkuar serbët, por sepse kanë parë në pavarësinë e saj një kontribut jetik në stabilitetin dhe integrimin e vendeve të rajonit dhe shkëputjen nga e kaluara e hidhur. Biseda është përqendruar edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ministri i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Wang Jiarui u shpreh se është një mik i vendit tonë dhe se sheh një Shqipëri mjaft të zhvilluar nën lidershipin e Kryeministrit Berisha dhe reformat e qeverisë së tij, veçanërisht në fushën ekonomike, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndodhej në Kinë, me rastin e Lojërave Olimpike, ku me siguri Kina do t'i tregojë botës sukseset dhe progresin e saj të madh. Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e ministrit Jiarui në Shqipëri, si të suksesshme dhe theksoi se dy partitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale në vendet e tyre, ndaj bashkëpunimi dhe angazhimi i ndërsjellë mes tyre do të njohë progres të vazhdueshëm dhe lidhje të forta nga të gjitha strukturat e tyre. Më pas, Kryeministri Berisha e njohu zotin Jiarui me reformat e ndërmarra nga qeveria në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu zotin Jiarui me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më tërheqëse për investimet e huaja. Kryeministri Berisha ftoi investitorët kinezë të investojnë në Shqipëri për të shfrytëzuar potencialet e pashtershme natyrore, duke garantuar se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe lehtësojë iniciativat e tyre. Nga ana e tij, ministri Jiarui shprehu angazhimin për të nxitur investimet kineze në Shqipëri në të gjitha fushat e zhvillimit. Zoti Jiarui shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të vendosura mbi një bazë miqësie të ndërsjellë tradicionale dhe se ato forcohen dita-ditës, duke pasur për këtë një vullnet politik mes dy vendeve dhe qeverive. Njëkohësisht, Kryeministri Berisha shprehu dëshirën për të pritur Kryeministrin e Kinës, zotin Wen Jiabao në Shqipëri.
Bushi kundër abuzimit të të drejtave në Kinë
Disa orë para nisjes për në Pekin për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike, Presidenti Bush ka kritikuar abuzimin e të drejtave të njeriut në Kinë.
Gjatë një fjalimi që mbajti në Tajlandë për politikën amerikane në Azi, zoti Bush tha se kritikat e tij nuk synonin antagonizëm me udhëheqjen kineze, por bëheshin me qëllim që ta ndihmonin në realizimin e potencialit të plotë të popullit të saj. "Amerika e kundërshton me forcë ndalimin në Kinë të disidentëve politikë, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve fetarë. Ne bëjmë thirrje për shtyp të lirë, lirinë e grumbullimeve dhe të drejtat e punës. Këtë nuk e bëjmë për t'iu kundërvënë udhëheqësve kinezë, por sepse lejimi i më shumë lirive për popullin e vet është e vetmja rrugë që Kina t'i zhvillojë plotësisht potencialet e veta. Ne kërkojmë transparencë dhe drejtësi, jo për të imponuar besimin tonë, por për të lejuar që kinezët të shprehin besimin e tyre", - tha Presidenti Bush. Zoti Bush vlerësoi reformat e tregut në Kinë dhe përparimin ekonomik, por korrespondentët thonë se përmbajtja e fjalimit pritet të shkaktoje irritim në Pekin, në prag të Olimpiadës. Duke iu referuar zhvillimeve për Birmaninë, zoti Bush bëri thirrje t'i jepej fund edhe asaj që e përshkroi si "tirani".Ceremonia e hapjes së Olimpiadës në Pekin përkon me 20-vjetorin e lëvizjes për demokraci, e cila u shtyp nga ushtria.