LSI: Rama-Berisha, ping-pong me paratë e taksapaguesve
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi ndaj replikave që janë shkëmbyer ditët e fundit mes Kryeministrit Berisha dhe kryebashkiakut Rama për investimet në Tiranë. Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishi, paratë për të cilat Rama dhe Berisha shkëmbejnë replika së pari, janë të taksapaguesve shqiptarë. “LSI-ja është e bindur që e gjithë kjo farsë, i gjithë ky ping-pong, që po zhvillohet nuk ka ndonjë qëllim të veçantë, përveçse të tërheqë vëmendjen nga çështje shumë më madhore, të cilat preokupojnë sot opinionin e gjerë publik, qytetarët e këtij vendi, por edhe fatet e të ardhmes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për çështje ende të pazbardhura, sikurse janë tragjedia e Gërdecit, kalimi në një mënyrë diskrete dhe fare pa transparencë, siç janë ndryshimet në Kushtetutë dhe i ligjeve të veçanta, të cilat cenojnë interesat e publikut të gjerë, sikurse ishte së fundmi edhe ligji për sportet”, - tha Dervishi. Ai deklaroi se LSI-ja beson se “kjo është arsyeja e vetme e gjithë kësaj demagogjie, që ne kemi ndjekur nëpërmjet ekraneve, e cila para së gjithash nuk i shërben debatit konstruktiv që duhet të zhvillohet, nuk i shërben aspak të ardhmes së qytetarëve, nuk i shërben aspak, në fund të fundit, edhe vetë angazhimit që kanë marrë të dyja palët”.