E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi në Tiranë do të nisë me Bathoren dhe Kodër-Kamzën

Agjencia e Legalizimeve do të nisë brenda pak javëve dhënien e lejeve të legalizimeve në disa qytete të vendit por në Tiranë, lejet e para do të jepen për zonat më problematike, në Bathore dhe në Kodër-Kamëz. Këtë fakt e ka konfirmuar kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, i cili tha se brenda pak javëve do të ndahen edhe lejet. Një nga arsyet bazë që këto zona do të marrin lejet e parat, është fakti se janë ndërtuar në tokë shtetërore. Një zonë e cila do të përfitojë e para lejet do të jetë edhe Këneta në Durrës, e gjitha informale. Gjithsesi, në bazë të verifikimeve, ka përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor për 12 zona në Tiranë. Gjithsej, bëhen rreth 200 mijë ndërtime informale në të gjithë vendin që do të marrin lejet të para, dhe mbetet për t’u verifikuar më tej 150 mijë ndërtime të tjera. Legalizimet do të prekin edhe qytetet e Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës etj. Qeveria ka miratuar edhe tarifat shtesë që do të vendosen për legalizimin. Qytetarët do të paguajnë vetëm nga 4 mijë lekë të reja për të gjithë dokumentacionin. Tarifa që do të paguajë qytetari për shërbimin do të jetë 4 mijë lekë.

Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim, do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces, i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilëve janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Taksa do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sipas amendimeve të ligjit të legalizimeve të miratuara në Kuvend, Këshilli i Ministrave miraton brenda një afati prej 30 ditësh të gjitha listat e ndërtimeve informale. Sipas parashikimeve, brenda muajit gusht pritet që Agjencia e Legalizimeve të përpilojë të gjithë listën e ish-pronarëve, ku në tokën dhe truallin e tyre është ndërtuar pa leje.

Të dhënat paraprake tregojnë se një e treta e ndërtimeve pa leje janë mbi tokë private të personave të tretë, ndërsa pjesa tjetër janë mbi tokë shtetërore, si dhe mbi tokë private. Aktualisht, numërohen mbi 200 mijë ndërtime informale të deklaruara, nga të cilat rreth 80 mijë janë ndërtuar mbi truallin e personave të tretë të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Hartimi i kësaj liste, që parashikohet të jetë rreth 80 mijë ish-pronarë, do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Më pas, qeveria brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, do të miratojë listën duka ia kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e cila do të dëmshpërblejë brenda këtij viti të gjithë këta ish-pronarë. Nga ana tjetër, miratimi i planit të zhvillimit të zonave bregdetare ka bërë të mundur që Agjencia e Legalizimeve të nisë në terren verifikimin e të gjitha objekteve dhe ndërtimeve informale në këto zona. Sipas parashikimeve paraprake, si dhe sipas ligjit, ndërtimeve informale në zonën e bregdetit do t’u përcaktohet fati në muajt e vjeshtës. Sipas ligjit, është përcaktuar që legalizimi i ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të këtyre zonave.

Gati 128 ish-pronarë që do të kompensohen nga legalizimet

ALUIZNI ka bërë të ditur se aktualisht janë gati 128 ish-pronarët që janë njohur dhe do të kompensohen nga procesi. Brenda muajit gusht, Agjencia e Legalizimeve do të bëjë gati të gjithë listën e ish-pronarëve, të cilëve u është marrë toka padrejtësisht për të ndërtuar pa leje. Drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia, është shprehur se agjencia është duke koordinuar punën me qeverinë në mënyrë që kjo listë të jetë gati brenda muajit gusht. “Brenda muajit gusht shpresojmë që të hartojmë të gjithë listën e ish-pronarëve”, - tha Memia. Kuvendi miratoi rreth një muaj më parë edhe ndryshimet ligjore për sa i përket legalizimit të ndërtimeve informale. Këto ndryshime prekën edhe afatin, për sa i përket mënyrës së dëmshpërblimit të ish-pronarëve, e kërkuar me ngulm nga Partia Republikane. Ndryshimet ligjore përcaktuan se duke filluar nga data 1 gusht, duhej të miratohej lista e ish-pronarëve, si dhe pas miratimit të kësaj liste nga Këshilli i Ministrave, brenda tre muajve ish-pronarët do të dëmshpërblehen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Memia u shpreh më tej se zgjatja e miratimit të ndryshimeve ligjore për sa u përket legalizimeve, si dhe kthimi i ligjit nga Presidenti, ka bërë që puna të hasë vështirësi. Gjithsesi, kreu i ALUIZNI-t garanton se brenda këtij muaji lista do të jetë gati në tryezën e rrumbullakët të qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›