E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Korçe: PS të heqë dorë nga dekurajimi i qytetarëve

Opozita të heqë dorë nga deklaratat shkurajuese dhe pesimiste për pajisjen me letërnjoftime elektronike të qytetarëve pa pasaporta. Kjo ka qenë thirrja që Kryeministri Berisha ka bërë nga Komuna Cerraves e Korçës ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama. Duke e vënë theksin te pajisja e shtetasve me karta identiteti, si një proces i cili duhet të përfundojë para muajit qershor, Kryeministri Berisha ka theksuar se opozita duhet të japë kontributin e saj aty ku drejton pushtetin lokal, pasi procesi po ecën normalisht dhe nuk ka vend për dështim, siç ka deklaruar PS-ja. Para banorëve të kësaj komune, Berisha është shprehur se "do të ishte mirë që deklaratat e tyre të përditshme të zëvendësoheshin në kontrolle në kuadër të Komisionit Parlamentar, ose do të ishte mirë që deklaratat e tyre të ishin më pak politike. Opozita ka pushtetin vendor në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Pra, është mirë që të lëmë zyrtarët vendorë që të shprehin shqetësimet e tyre, në rast se ka. Ata duhet të shprehin mendimet, pavarësisht se cilit spektër politik i përkasin, por nuk duhet t‘i politizojnë gjërat, të cilat mendoj se nuk janë as interes i opozitës". Sipas Kryeministrit Berisha, një seri komunash raportojnë se të gjithë qytetarët pa pasaportë kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike. Për të inkurajuar aplikimin, Kryeministri Berisha ka deklaruar se javën e ardhshme do të nisë zbatimi i skemës që përshpejton rimbursimin e pensionistëve, studentëve dhe atyre që përfitojnë nga ndihma sociale. "Ju siguroj se qeveria do i përmbahet pikë për pikë zotimit të saj për rimbursim. Qeveria nuk do të qëndrojë borxh dhe do t‘ia kthejë të gjithë vlerën siç ka premtuar", është shprehur Berisha. Gjithashtu, ai ka shprehur gjithë angazhimin e qeverisë për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndaj ka shtuar se pas pajisjes me karta identiteti për qytetarët të cilët nuk disponojnë një pasaportë, do të lejohet edhe aplikimi për ata qytetarët që e kanë pasaportën. Gjatë vizitës së tij në komunat e Korçës, Kryeministri Berisha ka vlerësuar si një arritje dhe një hap të madh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke premtuar se në mandatin e dytë qeveria do të punojë shumë më shumë për të realizuar edhe ëndrrën evropiane për anëtarësimin në BE. Kreu i qeverisë në komunat e Korçës ka prerë shiritat e disa rrugëve të ndërtuara nga qeveria.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›