E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, propozohen masa për qytetarët pasivë

Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë shtohet tensioni në radhët e politikës dhe të shoqatave të ndryshme nëse qeveria do të arrijë t‘i pajisë të gjithë zgjedhësit me karta identiteti apo jo. Pas partive politike, këtij shqetësimi dje i janë bashkuar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve. Këto dy shoqata kanë deklaruar se qeveria duhet të garantojë pajisjen e shtetasve me karta identiteti, duke propozuar edhe masa ndëshkimore për ata të cilët shkojnë për të aplikuar pas 14 qershorit. Gjatë një konference për shtyp, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar qeverisë t‘i garantojë shtetasve të drejtën për të votuar. KSHH i bën thirrje të ketë kujdes me vendimet për lehtësime financiare për pajisjen me karta, pasi mund të ketë diskriminim. Në një letër të hapur, kryetarja e këtij Komiteti, Vasilika Hysi, shkruan se "kryesorja në gjithë procesin nuk është fatura e kompensimit për kartat e identitetit, por garantimi se të gjithë zgjedhësit që nuk disponojnë pasaporta, do të pajisen me karta identiteti". Sipas saj, KSHH e cilëson të pajustifikueshme faktin që për mungesë organizimi zgjedhësit të privohen nga votimi. Duke risjellë në vëmendje vendimet e qeverisë për lehtësime financiare për pajisjen me karta të disa kategorive shoqërore, KSHH-ja i sugjeron qeverisë të bëjë kujdes, pasi mund të shoqërohet me elemente të diskriminimit të shtresave ose grupeve të tjera në nevojë, e cila duhet të parandalohet. Ndërsa Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka propozuar gjoba për qytetarët pa pasaportë që do të aplikojnë për karta identiteti pas datës 14 qershor. Propozimi ka ardhur nëpërmjet një deklarate publike të kësaj zyre, e cila gjithashtu jep alarmin për pasaktësi të theksuara në listat e votuesve që mund të rrezikojnë procesin zgjedhor. ZMQ thotë në deklaratën e saj, se "në lista konstatohen shtetas që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë nuk ka qartësi lidhur me një numër të saktë të tyre sa jetojnë brenda dhe sa jashtë". Gjithashtu, ZMQ u ka bërë thirrje qytetarëve të pajisjen me karta, pasi ky është edhe një detyrim ligjor. ZMQ i kërkon Ministrisë së Brendshme që dy herë në javë të japë informacion teknik për procesin dhe identifikimin e saktë të shtetasve pa karta, që janë në Shqipëri. Zyra për Mbrojtjen e Qytetareve e cilëson mospajisjen me karta, si "mohim të së drejtës kushtetuese për të votuar". Këto dy shoqata i janë bashkuar qëndrimit të opozitës të mbajtur kohët e fundit ndaj qeverisë, duke shtuar gjithnjë e më shumë presionin ndaj saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›