E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ: Solis, kandidat i parë në Tiranë

PBDNJ-ja ka mbyllur diskutimet për zonën e Tiranës, duke caktuar në krye të listës për deputet Leonard Solis. Ky lajm është bërë dje publik nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Më tej kreu i PBDNJ-së ka theksuar se në gjithë këtë periudhë kohe, në mënyrë sistematike në këtë parti është zhvilluar një debat dhe dialog i brendshëm i përqendruar në tri elemente kryesore. Së pari, detajimi i programit politik, i cili do të prezantohet më datën 9 maj në kongresin zgjedhor të PBDNJ-së; së dyti, përzgjedhësit e përfaqësuesve të PBDNJ-së, të cilët do të marrin përsipër përgjegjësinë e prezantimit të këtij programi në opinionin publik, në shoqëri dhe te qytetarët dhe këta janë kandidatët tanë në zgjedhjet e 28 qershorit; së treti, PBDNJ-ja është duke i dhënë dorën e fundit strategjisë dhe taktikave të tyre elektorale, të cilat do të synojnë shmangien e PBDNJ-së nga dialogu, ose më qartë nga rituali i dialogut shterpë pa përmbajtje, pa alternativa, që sërish rikthehet në vendin tonë përpara ballafaqimit elektoral politik të radhës. Dule ka theksuar se PBDNJ-ja kërkon jo zgjedhje për hir të zgjedhjeve, të cilat do të lënë koalicionin aktual qeverisës në pushtet, apo do të sjellin koalicionin tjetër në krye të punëve, por zgjedhje që të ofrojnë zgjidhje. Nga pozitat tona modeste, tha Dule, do të prezantohemi përpara elektoratit me propozime konkrete në të tria këto aspekte që do të përbëjnë shtyllat e programit tonë. Ndërsa në lidhje me koalicionet, Dule ka theksuar se as në kuadrin e një koalicioni dhe as jashtë tij nuk mund të ketë shanse përfaqësimi politik nëse nuk ke diçka për të thënë dhe ajo që thua nuk bind atë segment të nevojshëm të shoqërisë që të të japë mandatin e përfaqësimit. Sipas tij, një nga elementet e debatit të PBDNJ-së do të jetë edhe mënyra e kandidimit, por kjo është dytësore, parësore është disiplinimi i strukturave, detajimi i programit dhe prezantimi sa më bindshëm i tij në shoqërinë shqiptare. Deri më datën 9 maj, debati ynë i brendshëm, tha Dule më tej, do të na ketë sjellë edhe konkluzionin nëse PBDNJ-ja do të jetë subjekt elektoral më vete apo në kuadrin e një koalicioni më të gjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›