E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Korçë: Të festojmë ditën e mollëve

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit Rajonal të Prodhimeve Bujqësore në Qarkun e Korçës. Në këtë panair marrin pjesë rreth 80 agrobiznese 

KORCE-Fermerët e Qarkut të Korçës kanë realizuar prodhimin më të mbarë se kurrë më parë në historinë e këtij qarku. Një pohim i tillë është nga kryemisnitri Berisha teksa vizitoi Panairit Rajonal të Prodhimeve Bujqësore në Qarkun e Korçës.
“Këtë vit ju mund të krenoheni më shumë se kurrë me rezultatet e punës mendjes, djersës dhe mundit tuaj. Ju fermerë të Korçës në traditën familjare punëdashëse keni shkëlqyer më shumë se kushdo tjetër. Sot Korça ka një prodhim bujqësor që nuk e ka njohur kurrë më parë. Sot fermerët e Korçës me fermat e tyre janë bërë dhe po bëhen gjithnjë e më konkurrues. Këtë vit ju keni mbjellë dru frutorë 20 herë më shumë se në vitin 2005”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri i garantoi fermerët korçarë se qeveria do t`i mbështesë ata që ta shndërrojnë Korçën në kryeqytetin e Ballkanit për mollën e cilësisë më të lartë, mollën starkinge, dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të festohet kjo ditë.

Kryeministri tha se edhe në procesin e integrimit, i cili përbën projektin më madhor të vendit, fermerët kanë shënuar një sukses të madh. “Me eliminimin e barrierave doganore eksportet tuaja drejt Europës janë rritur madje edhe tek vendet me bujqësi të zhvilluar. Kjo do të thotë se ardhmja e këtij sektori është e shkëlqyer”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst Kryeministri shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për urbanizimin e infrastrukturës në të gjitha fshatrat e vendit. Gjithashtu Kryeministri theksoi se pensionet në fshat që ishin në vlera qesharake 4 vite më parë, po shkojnë drejt dyfishimit dhe do të dyfishohen në vitin 2009 dhe do të ecet me shpejtësi drejt nivelimit të plotë me pensionet në qytet. Berisha falenderoi USAD-in, Bankën Botërore, SNV-në dhe çdo institucion tjetër që u ka qëndruar afër fermerëve të Korçës gjatë këtyre viteve fermerëve të Korçës në pëballimin e vështirësive të mëdha.
Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Tiranë, znj. Roberta Mahoney, e cila garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë.
“Në eksperiencën time unë jam mbështetëse e vendeve me ekonomi në rritje dhe kjo është shumë e vërtetë për Shqipërinë, e cila ka një mbështetje të madhe tek agrobiznesi. Ndaj Shtetet e Bashkuara kanë financuar për rritjen e konkurencës së fermerëve nëpërmjet projektit AAC me vlerë 10 milionë dollarë për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave gjatë 5 viteve në vazhdim për fermerët shqiptarë”, u shpreh znj. Mahoney.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›