E Shtunë, 31 Tetor 2026

Warren Buffet superpasaniku i Shteteve të Bashkuara

Është kohë krize ekonomike e financiare, por
disave nuk u perëndon ylli kurrë, madje janë
në ngritje. I tillë është rasti i njërit prej biznesmenëve
më të pasur, madje një nga më të pasurit
e Shteteve të Bashkuara, sipas renditjes së
fundit të revistës "Forbes" të personave më të
kamur të planetit. Ai është Warren Buffet, i cili në
këtë klasifikim i merr nga duart "kurorën" mikut
të tij, "babait" të "Microsoft", Bill Gates. Revista
"Forbes" ka rillogaritur pasuritë respektive të 400
amerikanëve më të pasur dhe në fund të kësaj
përllogaritjeje, me më shumë para ka dalë Buffet.
Ai, madje, ka vënë pasuri, ndërsa kolegë të
tij bankierë të kamur kanë falimentuar. Pasuria e
tij është plot 68 miliardë dollarë. Vetëm gjatë këtij
muaji kjo pasuri i është shtuar me 8 miliardë
dollarë, si pasojë e operacioneve financiare. Për
sa i përket Gates, pasuria e tij ka rënë me 1.5
miliardë dollarë dhe aktualisht ai ka vetëm 55.5
miliardë dollarë, duke e renditur kështu themeluesin
e "Microsoft" të dytin në listë. Ndërkohë,
pjesa tjetër e milionerëve të listës ka ndryshuar
shumë në pasuri. Një pjesë e madhe kanë pësuar
humbje miliardësh dhe brenda një kohe shumë
të shkurtër. Përllogaritjet e plota do të botohen
më 27 tetor, që do të thotë se brenda kësaj kohe,
me ndryshime të vrullshme mund të ketë riformatim
të vendeve, përveç vendit të parë që nuk
pritet të ketë ndryshime, të paktën afatshkurtra.
"Forbes" po mendon që ta quajë tashmë jo "lista
e të pasurve", por "lista e ish të pasurve", ndërkohë
që ky variant ka ngjallur kundërshti. Sigurisht
për sa na përket ne të tjerëve nuk është se do të
na prishet gjumi për miliardat e humbura të super
të pasurve, apo për vendet e tyre të humbura
në klasifikim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›