E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, ministri kosovar: Do njihemi nga gjithë bota

Ministri kosovar i Pushtetit Lokal gjatë një vizite në Korçë ka deklaruar se njohja nga Maqedonia dhe Mali i Zi sjell shpresën e pranimit sa më shpejt të shtetit të ri në BE. 

KORÇË - Kosova do të njihet nga e gjithë bota. Kështu ka deklaruar nga qyteti juglindor i Shqipërisë Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Sabri Ferati i cili ka theksuar se njohja e djeshme e Kosovës nga dy shtetet fqinjë Maqedonia dhe Mali i Zi, ndez shpresën se pranimi i shtetit të ri do të jetë një proces i shpejtë pavarësisht nga pengesat e deritanishme që nuk kane rezultuar të suksesshme.
Këtë deklaratë ministri kosovar Ferati e ka bërë gjatë një takimi me kreun e bashkisë së Korçës Niko Peleshi, për vendosjen e urave të bashkëpunimit në nivel politik përsa i përket decentralizimit dhe reformave por edhe në sektorin e këmbimeve tregtare dhe të promovimit të turizmit mes këtij qyteti ndër më të rëndësishmit në Shqipëri.
Kryetari i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi duke përgëzuar ministrin kosovar për njohjen nga dy shtete të tjera të Kosovës, ka thënë se bashkëpunimi do të mund të institucionalizohet tashmë edhe në sajë të binjakëzimeve teksa bashkia juglindore e ka realizuar këtë me komunën e Mitrovicës në Kosovë disa vjet më parë me të cilën ka dhe aktivitete të përbashkëta dhe shkëmbime të gjithanshme kryesisht kulturore.
Sipas Feratit këto marrëdhënie do të intensifikohen me projekte dhe plane konkrete në aspektin e paketave turistike për të promovuar turizmin patriotik, por edhe me vendosjen e marrëdhënieve të këmbimeve tregtare mes bizneseve nga kontaktet mes dy dhomave të tregtisë asaj të qytetit të Korçës dhe Odës së Tregtisë në Kosovë. Sipas ministrit kosovar kontaktet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve do ti shërbejnë shtetit të ri, pasi Kosova është para reformimit të plotë të pushtetit lokal dhe të fuqizimit të institucioneve të saj, ndërsa nga ana tjetër rajoni i Korçës mund të përfitojë nga projektet e bashkëpunimit ndërkufitar, por dhe shumë të tjera.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›