E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kosovë për nisjen e punimeve

23/04/2010 “Rruga e kombit”

Kryeministri Sali Berisha do të niset ditën e diel drejt Kosovës, për të marrë pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimit e autostradës që lidh Morinën me Mërdarëën, vazhdim i rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Në ceremoninë që do të zhvillohet gjatë fundjavës, pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të Republikës së Kosovës. Ndërtimi i këtij aksi është cilësuar nga Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës si tepër jetik për lidhjet mes dy shteteve. Mendohet se ftesa zyrtare për pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni është bërë nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili pak ditë më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit me shefin e ekzekutivit, ministri kosovar informoi Berishën për fillimin e punimeve për pjesën e të ashtuquajturës “rruga e kombit”, që kalon në Kosovë. Por ndërtimi i këtij aksi rrugor pritet të mos i japë fund shtrirjes më të gjerë të mundësive të komunikimit fizik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri Berisha, gjatë takimit që pati me ministrin Hyseni, ka theksuar nevojën për ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhë dy shtetet. Kreu i Qeverisë së Tiranës ka vlerësuar se është e rëndësishme që të dy vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›